Eurointegrimet, Kovaçevski: Jemi më të mirët në rajon, në BE të hymë të parët

25.10.2023 16:45

Maqedonia e Veriut është shteti më i suksesshëm në rajon...

Maqedonia e Veriut është shteti më i suksesshëm në rajon sa i përket avazit të procesit eurointegrues dhe për këtë arsye duhet të integrohet brenda ombrellës evropiane e para, thotë kryeministri, Kovaçevski.

Për vizitën e kryetares së KE-së, Ursula Von Der Lejen në fund të muajit, Kovaçevski zbulon  se do të bisedohet për procesin e skriningut, vazhdimin e rrugës evropiane dhe për investimet.

Nuk deshi të prononcohet nëse zyrtarja e BE-së do të vijë ta bind vendin për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se fjala “bindje” i pëlqen më tepër VMRO-së ta përdorë dhe të bëjë krahasime të tilla, por është i sigurt se e ardhmja evropiane e shtetit do të ketë sukses.

“Ne jemi shteti i cili për momentin është më i miri në rajon dhe gjithsesi se edhe Bashkimi Evropian që ka filluar procesin e reformimit të saj dhe të pranojë anëtarë të rinj, dëshiron ta sheh vendin si pjesë të BE-së, sepse ai që është më i miri duhet të hyjë i pari. Gjithsesi vendimi  varet prej nesh.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Takimi Mariçiq – Varheji: RMV-ja e ka vendin në BE, të përshpejtohet procesi

Procesi eurointegrues i vendit në fokus edhe në takimin e zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Bojan Mariçiq me eurokomesarin për Zgjerim, Oliver Varheji në Bruksel. Siç njoftojnë nga dikasteri i tij, të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se për Maqedoninë e Veriut ka vend në BE dhe se duhet të përshpejtohet procesi.

“Në takim është biseduar për planin e ri të BE-së, për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, për çka bashkëbiseduesit janë pajtuar se mesazhi që rajoni të bëhet gati më shpejt për anëtarësim në BE është i mirë dhe i fuqishëm dhe me hapa konkret, thelbësisht të lëvizë drejt integrimit të plotë në Union.”, thuhet në komunikatën e Sekretariatit për Eurointegrime. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)