Maqedoni

Plagosja e mbrëmshme në “East Gate”, qytetarët të shqetësuar për sigurinë e tyre

25.10.2023 17:22

Shumë herë jemi dëshmitar të përleshjeve të njerëzve të nëntokës në kryeqendër...

Shumë herë jemi dëshmitar të përleshjeve të njerëzve të nëntokës në kryeqendër, e madje edhe në ambiente publike. Dhe vazhdimisht lind pyetja se a mundet që edhe qytetarët e pafajshëm të jenë viktima të sulmeve kriminale në ambiente të ndryshme publike, siç ishte ai i një dite më parë në Qendrën Tregtare “East Gate”?
 
Ekipi i TVM-së bëri një anketë me qytetarë, për të parë se çfarë mendojnë ata pas ngjarjes së incidentit të djeshëm ku pati edhe të plagosur. Disa nga të anketuarit janë më pak të shqetësuar, por ka edhe nga ata që këto incidente i shohin si tejet të rrezikshme, prandaj apelojnë te policia që të merret më seriozisht me çështjen e rritjes së sigurisë nëpër qendrat tregtare dhe ambiente tjera publike.
 
“Për mua, por besoj edhe për të gjithë qytetarët tjerë është ndodhi e pakëndshme, e cila duhet të tejkalohet me masa më të mëdha preventive rreth asaj çështjeje, të pakësohen tensionet.”, - u shpreh një qytetar. 
 
“Nuk është hera e parë, por hera e tretë kjo që ndodhi në “East Gate”, kështu që qyteti 50% është kthyer në kaos, realisht është e frikshme për qytetarët e thjeshtë që rastisin të ndodhin aty pranë, të pësojnë të pafajshmit. Duhet patjetër të shtohet siguria në hyrje, në dalje, në garazhet, gjë që e kanë gjithsecili nga qytetet e mëdha të vendeve të ndryshme në botë.”, - theksoi një qytetar tjetër.
 
“Nuk mendoj se duhet të ndodhin në mes të ditës në vende të tilla gjëra të tilla, si ajo që ndodhi dje.”, - tha një qytetar.
 
“Nuk pajtohem me shokët e mi që thonë se raste të tilla ndodhin shpesh, unë nuk mendoj se ndodhin shpesh, por mendoj se ne mund të bëhemi viktimë e ndodhive të tilla.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Nuk mendoj se nëpër qendra tregtare duhet të ndodhin raste të tilla.”, - u shpreh një qytetar.                                                                                                                    
 
Gjurçevski: Bandat, rrezik edhe për qytetarët
 
Ish-shefi i Policisë së Krimit, Ljubomir Gjurçevski, thotë se bandat kriminale Gërçec-Çair-Haraçinë, nëse nuk shpërbëhen, mund të ekzistojë rreziku edhe për incidente të tjetra gjatë qërimit të hesapeve mes tyre. 
 
“Kur veç më kemi të shënuar një viktimë, kjo d.m.th. që duhet të jemi ne prezent në atë ngjarje, në atë vend, sepse kemi edhe frekuentim nga qytetarët e thjeshtë, të cilët pa vetëdije mund të jenë në rrezik për jetën, me qëllim që të pengojmë përdorimin e armëve në vende të tilla publike dhe parandalimin deri tek fataliteti i paqëllimshëm. Momenti i dytë që dua ta potencoj është funksioni i kompetentëve dhe pajisja e duhur e agjencive të sigurisë, të cilët janë të angazhuar me ligj të mbajnë rregullat e sigurimit të lartë, dhe po ashtu edhe personat kompetent të mbajnë sigurinë e nevojshme në objekte të tilla. D.m.th. bëhet fjalë për qendra tregtare, shkolla, vendet për lutje, ambulanca, në sheshe, e kështu me radhë.”,  - deklaroi ish-shefi i Policisë së Krimit, Ljubomir Gjurçevski.
 
VMRO-DPMNE: MPB-ja ka dështuar plotësisht
 
Reagim për shtimin me armë ndaj dy personave në qendrën tregtare pati edhe nga opozita VMRO-DPMNE, nga e cila fajtorë për këtë ngjarje e bëjnë Spasovskin dhe punonjësit policorë, për të cilët thonë se ishin në dijeni për një krim të tillë dhe nuk i morën masat për ta parandaluar. 
 
“MPB-ja, e udhëhequr nga Oliver Spasovski, ka pësuar totalisht fiasko, edhe më tragjike është se policia e Oliver Spasovskit nuk ka mundur të parandalojë një ngjarje të tillë, edhe pse disa ditë më parë është paralajmëruar vrasja në rrjetet sociale nga njëri nga personat që është i lënduar.”, - theksoi Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas njoftimeve të policisë, mbrëm dy persona mbetën të plagosur nga ngjarja në qendrën tregtare “East Gate” në Shkup, për të cilët mjekët thonë se gjendja e tyre është stabile, por gjithsesi janë në rrezik për jetën, pasi kanë marrë plagë të shumta me armë zjarri. 
 
FITORE DEMOLLI