Ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të krizës politike

13.03.2015 17:07

Reagimet e komunitetit ndërkombëtar vazhdojnë çdo ditë e më shumë, duke alarmuar situatën politike në vend e duke i nxitur politikanët të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës politike...

Këtë radhë reagimet vijnë nga përfaqësuesi për Evropën Juglindore, Roberto Battelli, nga Kuvendi Parlamentar i OSBE-së, i cili thotë që është më se i nevojshëm dialogu i gjerë politik dhe përgjegjësia për t’u zgjidhur ky problem politik.

Battelli, shprehu brengosjen e tij lidhur me situatën turbulente politike në Maqedoni në një mbledhje në Kopenhagë. Ai tha se zhvillimet që po ndodhin në vazhdimësi janë para së gjithash manifestime të një mungese të dialogut konstruktiv në skenën politike. Përfaqësuesi, po ashtu theksoi nevojën për t’u mbrojtur ligjshmëria, pavarësia dhe jopartizimi i institucioneve vendase, duke promovuar përgjegjësinë e tyre në kuadër të kushtetutës dhe legjislacionit të duhur.

“Si qytetar i rajonit dhe një nga të shumtit të cilët kujdesemi për progresin e këtij shteti, i nxis liderët e partive të veprojnë sa më përgjegjshëm, që do të jetë në interes të qytetarëve dhe do t’i sjellë dobi një fqinjësie më të madhe. Është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale dhe të punojë për të siguruar një parlament funksional, një parlament i cili e mbështet mekanizmin dhe dialogun demokratik për t’u ballafaquar me këtë situatë, gjithsesi, është në interesin e të gjithëve”- deklaroi Roberto Battelli nga Kuvendi Parlamentar i OSBE-së.

Battelli, po ashtu kërkon nga qeveria dhe opozita që të lejojnë trupat gjyqësorë kompetentë të bëjnë hetim të detajuar, të pavarur dhe  transparent. Reagimet vijnë përsëri nga Komisioni Evropian, këtë radhë menjëherë pas “bombës së 9-të” të opozitës, ku Maja Kocijanciq, zëdhënësja e eurokomisarit, Johannes Hahn, thotë:

“Ne kemi shprehur brengosjen tonë të thellë pas asaj që u shpalos rreth përzierjes në gjyqësor, lirisë së mediave dhe tanimë mangësitë zgjedhore. Presim që institucionet vendase të kryejnë punën e tyre dhe t’i mbrojnë vlerat fundamentale menjëherë”.

Në ndërkohë, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, shprehu shqetësimin e saj rreth situatës në vend në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Twitter, duke thënë që “situata në Maqedoni kërkon ndryshim urgjent! Kam shprehur brengat e mia rreth krizës aktuale politike”, duke aluduar në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë. (Besa Jashari, TVM2)