Rasti "Talir", Kodi i ri Penal do ta shpëtojë Janakievskin

25.10.2023 17:44

Prokurorja publike në rastin "Talir", që ka të bëjë me financimin e VMRO-DPMNE-së...

Prokurorja publike në rastin "Talir", që ka të bëjë me financimin e VMRO-DPMNE-së, ka propozuar trupin gjykues që të konstatojë vjetërsim të veprës penale "Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare" për të akuzuarin, ish-ministrin, Mile Janakievski.
 
Kjo nuk nënkupton se Jankievski do të shpëtojë tërësisht nga rasti "Talir", vjetërsimi nuk vlen për veprën penale "pastrim parash" për të cilin gjithashtu akuzohet. Vendimin për këtë vepër gjykatësi Osman Shabani do ta shpalos më 10 nëntor.
 
"Duke marrë parasysh ndryshimet në Kodin Penal të datës 7 shtator të vitit 2023, të cilat i referohen veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare” nga neni 353, mendoj se në rastin konkret për të akuzuarin Mile Janakieski, ekziston bazë për aplikimin e atyre ndryshimeve si një ligj më i lehtë. Sipas aktakuzës, Janakieski akuzohet nga neni 353, paragrafi 4, për veprime që i ka bërë në maj të vitit 2013. Duke marrë parasysh dënimet e reja për këtë vepër dhe në korrelacion me nenet 107 dhe 108 të Kodit Penal, konsideroj se ka arsye për t'i zbatuar ato si ligj më të favorshëm për të akuzuarin dhe i sugjeroj gjykatës të marrë një vendim.", tha prokurorja, Lençe Ristoska.
 
Avokati i partisë VMRO-DPMNE, avokati i ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Kiril Bozhinovski dhe i akuzuari, Ilija Dimovski, kërkuan nga gjykatësi që në rastet e tyre të marrë vendim për vjetërsimin e lëndës.
 
I akuzuari i parë është ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Ilija Dimovski, Leko Ristovski dhe partia si person juridik. Në këtë rast është akuzuar Elizabeta Çingarovska, e cila e ka pranuar fajin dhe është dënuar me kusht.
 
Ndryshe, Janakieski aktualisht është duke vuajtur dënimin me burg prej tre vjet e gjashtë muaj për rastin “Titanik”. Në korrik të këtij viti ai u dërgua nga arresti shtëpiak në burg, pasi u deklarua fajtor për pothuajse të gjitha krimet që lidhen me parregullsitë zgjedhore në rastin “Titanik”, por akoma është në bankën e të akuzuarve për vepra tjera të hapura nga ish-PSP-ja.
 
Një prej tyre është rasti “Toplik”, të cilin Gjykata e Apelit në Shkup, javën e kaluar vendosi ta kthejë në rigjykim.
 
FLORIJE KAMBERI