Botë

Samiti i BE-së, Ukraina në fokus të diskutimeve

26.10.2023 12:26

Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel sot dhe të premten në samitin...

Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel sot dhe të premten në samitin që pritet të përsërisin dënimin për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe të diskutojnë për mbështetjen e bllokut për Kievin, në mes të sinjaleve për lodhjen e disa shteteve anëtare për të ndihmuar për luftën, që ka hyrë në muajin e 21-të.
 
Liderët e 27 shteteve të BE-së po ashtu pritet të riafirmojnë mbështetjen e tyre për “pavarësinë e Ukrainës, sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe për “të drejtën e saj për vetëmbrojtje”, thuhet në draft-konkluzat e samitit.
 
Dokumenti, që nuk është final dhe duhet të miratohet nga liderët e BE-së, po ashtu riafirmon qëllimin e bllokut që të vazhdojë të ofrojë “mbështetje të fortë financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për Ukrainën dhe popullin e saj për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
 
Në draft-konkluzat po ashtu bëhet thirrje “për ashpërsimin e mëtejmë të sanksioneve” kundër Rusisë, për shkak të agresionit dhe do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian “të përshpejtojë punën” mbi propozimet se si të ardhurat që rrjedhin drejtpërdrejtë nga asetet e palëvizshme të Rusisë, mund të drejtohen për të mbështetur Ukrainën dhe për rindërtimin e saj.