Botë

250 objektiva të Hamasit u goditën nga izraeli, Netanjahu: Jemi gati për sulmin tokësor

26.10.2023 12:48

Bombardimet ajrore në Gaza janë vetëm fillimi. Kështu paralajmëron kryeministri izraelit...

Bombardimet ajrore në Gaza janë vetëm fillimi. Kështu paralajmëron kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar për të zbutur dorën ndaj Rripit të Gazës, njofton se sulmi tokësor në territor do të ndodhë shpejt. 
 
“Ne po lëshojmë zjarr nga ferri mbi Hamasin. Kemi vrarë tashmë mijëra terroristë dhe ky është vetëm fillimi. Njëkohësisht po përgatitemi për pushtim tokësor. Për momentin, nuk do të them kur apo si.”, tha Benjamin Netanjahu.
 
Forcat e mbrojtjes izraelite bënë me dije se kishin mësyrë me tanke veriun e Gazës gjatë natës, duke goditur një sërë celulash terroriste e infrastrukture. Operacioni, siç thanë, është pjesë e përgatitjeve për fazat e reja të luftës.
 
Në Gaza, spitalet po ndërpresin të gjitha shërbimet, përveç atyre të emergjencës, pasi rezervat e karburantit po shterojnë. Sipas autoriteteve palestineze, mbi 6,500 persona janë vrarë në Gaza që prej 7 tetorit, kur Izraeli nisi bombardimet në territor. Hamasi sakaq po mban mbi 200 pengje, por flitet se palët po negociojnë dhe se lirimi i tyre mund të ndodhë brenda pak ditëve.