Maqedoni
Shaqiri: Mbaroi dorëzimi i librave
26.10.2023 15:00
Të gjitha librat janë shpërndarë nëpër shkolla, njoftoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri...

Por, nxënësit e klasës së pestë nuk do ta kenë në duart e tyre librin e “Historisë dhe shoqërisë”, pasi që ende nuk ka mbaruar recensioni i librit nga ana e profesorëve universitar, libër i cili u tërhoq vitin e kaluar për shkak të gabimeve.
Shaqiri kërkon që për vitin e ardhshëm shkollor, byroja t’i dorëzojë programet më së voni deri në fund të nëntorit, në mënyrë që të arrijnë në kohë librat, ashtu sikur që kanë arritur për klasën e tretë.
“Kemi thënë që librat për klasën e gjashtë do të jenë gati deri në shtator apo deri në fund të tetorit, por për shkak të disa problemeve teknike nuk arritëm t’i dorëzojmë plotësisht në atë periudhë. Por, më vjen mirë që dorëzimi ka mbaruar. Për tekste të caktuara për klasën e gjashtë është dashur të punohet shumë për rregullimin e grafikës dhe teknikës. Për një tekst shkollor, për shembull, në fund të dorëzimit, autorët kërkuan që të bëhej një korrigjim për një pjesë të tekstit.”, - deklaroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
