Maqedoni
Tetovë, përplasen komuna dhe MASh-i
26.10.2023 15:22
Vazhdon përplasja mes Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit për gjimnazin e Tetovës...

Vazhdon përplasja mes Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit për gjimnazin e Tetovës. Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, akuzon MASh-in, se e njëjta i ka marrë ingerencat duke mos respektuar ligjin.
Ndërsa tha se tani e ka obligim MASh-i që t’i paguajë borxhet gjimnazit. Kurse mjetet që ka obligim komuna ndaj gjimnazit të Tetovës tha se nuk do t’i realizojë, pasi në krye të gjimnazit të Tetovës qëndron një drejtoreshë që ka keqpërdorur mjetet financiare.
“Komuna e Tetovës këtë periudhë nuk ka lëshuar mjete financiare për gjimnazin, e dihet arsyeja se pse, pasi gjimnazi udhëhiqet nga një drejtoreshë ndaj së cilës është ngritur padi penale për keqpërdorim të mjeteve financiare. Ministria e Arsimit në kundërshtim me ligjin ia ka marrë ingerencat e përgjithshme Komunës së Tetovës. Po e them në kundërshtim me ligjin. Pse!? Sepse duhet t’i tregojë dikush ministrit se Komuna e Tetovës nuk është kryetari. Komuna e Tetovës është Këshilli Komunal dhe kryetari. Pra, me marrjen e ingerencave të kryetarit, ministri nuk mund t’ia marrë ingerencat Këshillit.”, - theksoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Akuza ndaj Ministrisë së Arsimit kanë ardhur sot edhe nga prindërit dhe drejtori shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë. Sipas tyre, nxënësit që janë regjistruar në programe duale kanë pasur të drejtë të fitojnë 3,500 denarë bursa nga ministria, por të njëjtëve u është mohuar pa asnjë njoftim, thotë drejtori i shkollës së mesme medicinave, Binas Pajaziti.
“Ne kemi aplikuar vitin e parë dhe nuk na është dhënë asnjë sqarim, thjesht me datën 18.10. është shpallur konkursi për bursa të ndryshme që jep ministria ato bursa meritore, bursa të paraleleve duale dhe aty në mënyrë takstative gjatë konkursit shpallet konkurs për 1,500 bursa për nxënësit që kanë regjistruar në paralele duale, përveç nxënësve nga profesionet shëndetësore të shkollave të mesme dhe shkollave private. Në emër të prindërve dhe nxënësve kërkojmë nga MASh-i që për këtë vit shkollor që kjo e drejtë që u takon edhe në bazë të konkursit, të mos u mohohet nxënësve, të futen në programin që kanë qenë të paraparë.”, - deklaroi drejtori i shkollës së mesme medicinave, Binas Pajaziti.
Nga MASh-i thonë se Komuna e Tetovës, duhet të funksionojë në bazë të ligjit dhe detyrimet ndaj shkollave t’i realizojë, jo të bëjë politikë me shkollat e Tetovës.
VISAR SADIKI
