ASh: Arsovska emëron jashtëligjshëm 3 drejtorë shkollash
Tre ushtrues detyre drejtorë në shkollat e mesme....

Tre ushtrues detyre drejtorë në shkollat e mesme në Shkup, “Koço Racin”, “Arseni Jovkov” dhe “8 Shtatori” figurojnë jashtëligjshëm në krye të këtyre institucioneve, pasi janë emëruar nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Akuza vjen nga Aleanca për Shqiptarët, sipas së cilës drejtorët nuk përmbushin kushtet duke shpërfillur profesorë të tjerë të kualifikuar për detyrën e drejtorit.
“Në shkollën e mesme “Koço Racin”, ushtrues detyre caktohet personi T.B., person që në rend të parë nuk është nga të punësuarit e rregullt në këtë shkollë. Në shkollën e mesme “8 Shtatori”, po ashtu emërtohet ushtrues detyre drejtor me iniciale A.Ç, person që nuk ka dhënë as provim për drejtor, e as certifikatë për njohje të gjuhës angleze. Shkolla e radhës është “Arseni Jovkov”. Në këtë shkollë emërton person i cili po ashtu nuk ka as certifikatë për njohjen e gjuhës angleze, por as certifikatë që ka dhënë provimin për drejtor.”, - deklaroi drejtori i Departamentit për Arsim në ASh, Arianit Reka.
Kryetarja e qytetit të Shkupit, në formë zyrtare është lajmëruar për thyerjet, por deri më tani heshtje nga ana e saj. Për parregullsitë janë informuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Komisioni për parandalimin e korrupsionit, si dhe Prokuroria Publike, të cilët gjithashtu nuk kanë reaguar. Nga ASh-ja kërkojnë nga Ministria e Arsimit që t’ia pezullojë përkohësisht kompetencat Arsovskës në sferën e arsimit.
“Kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të veprojë në suaza të ligjit, që të kthehen ligjshmëritë në këto shkolla, duke ia marrë përkohësisht kryetares së Qytetit të Shkupit kompetencat për arsim.”, - theksoi drejtori i Departamentit për Arsim në ASh, Arianit Reka.
Nga ASh-ja thonë se heshtja e vazhdueshme e institucioneve ku është adresuar shkelja, i detyron ata të iniciojnë procedurë penale ndaj tyre. (Meral Ismaili, TVM2)
