Kurti dhe Vuçiqi takime të ndara në Bruksel, Borrell: Kërkojmë zgjidhje brenda dialogut

26.10.2023 17:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë realizuar takime të ndara me udhëheqësit evropianë në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh.

Ata u pritën nga: kancelari gjerman, Olaf Sholc; presidenti francez, Emanuel Makron; kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josef Borrell.

Pas këtij takimi, Kurti dhe Vuçiqi vazhduan takimet me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Borrell, pas takimit ka thënë se puna po vazhdon, ndërsa paralajmëroi takime të tjera.

“Kur jemi te Kosova dhe Serbia puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. S’ka zgjidhje tjetër, ajo shkon përmes dialogut.”, - theksoi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josef Borrell.

Edhe kryeministrja italiane, Meloni, ka bërë të ditur se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara "në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit".  Ajo ka thënë se Italia, Franca dhe Gjermania po mundohen që të nxisin palët të bëjnë hapa përpara. (Gyltene Sinani, TVM2)