Prishtinë, Tahiri: Serbia e di mirë se një ditë do ta njohë Kosovën
Marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, parasheh që asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet në bazë të ligjeve ekzistuese të Kosovës dhe se ky asociacion nuk do të ketë kurrfarë kompetence ekzekutive, ka thënë në një intervistë për “Telegrafin” ministrja për Dialogun, Edita Tahiri...

Sipas saj, Ligji për Vetëqeverisjen Lokale parasheh që një asociacion i tillë nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe as mbikëqyrëse. “Serbia, kur e ka nënshkruar marrëveshjen, e ka pasur të qartë se ky asociacion nuk të do të ketë kompetenca ekzekutive”- ka theksuar ajo.
Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Tahiri ka theksuar se marrëveshja është zbatuar në disa aspekte dhe se të tjerat aspekte pritet të zbatohen shumë shpejt.
“Më konkretisht mund të them se sukseset e kësaj marrëveshje janë të lidhura me integrimin e policëve serbë të pjesës veriore në institucionet shtetërore të Kosovës. Ky integrim ka ndodhur i plotë. Janë shuar plotësisht strukturat paralele të policisë, respektivisht të pjesëtarëve të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Dhe, do të thosha se kjo është një storie e suksesit. Po ashtu, si përparim të dukshëm e konsiderojmë mbajtjen e zgjedhjeve lokale për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ana e institucioneve të Kosovës në katër komunat veriore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, funksionimi i komunave në veri me shumicë serbe, të cilat tash kanë institucione legale, është duke shkuar mirë.
“Një sukses tjetër që është arritur në takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, atij serb dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian më 10 shkurt, është nënshkrimi i marrëveshjes për çështjet e drejtësisë. Shumë shpejt pritet të fillojë zbatimi i kësaj marrëveshje”- ka shtuar Tahiri.
