Botë

BE-ja vazhdon diskutimet për Kosovën dhe Serbinë

27.10.2023 13:33

Këshilli Evropian do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë...

Këshilli Evropian do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian pas një dite të ngjeshur me takime të shumta, por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve me liderët e BE-së të enjten në Bruksel.
 
Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit. Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte.
 
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e lë fajtore Serbinë, kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.
 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
 
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”. Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit.”, tha Borrelli.