Kulturë
Tetovë, sonte nata e fundit e Festivalit Teatror
27.10.2023 14:57
“Gruaja e thyer” ishte shfaqja nga Teatri kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli“ i Tiranës...

“Gruaja e thyer” ishte shfaqja nga Teatri kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli“ i Tiranës, që mbajti për një orë plotë kureshtje publikun tetovar. Aktorja Adriana Tolka tha se kjo shfaqje është monodramë që tregon një realitet mbarë botëror që është vetmia. Tolka tha se kjo shfaqje mund të quhej edhe “Burri i thyer”.
“U ndjeva shumë mirë para publikut të Tetovës, jam shumë e lumtur që kishin ardhur shumë njerëz për ta parë dhe pritja e festivalit të Teatrit ka qenë vërtet mbresëlënëse. Mendoj se kjo monodramë nuk është realitet vetëm për gratë shqiptare, por kjo temë tema e vetmisë, është një temë mbarë botërore. Nuk u përket vetëm grave, mund t’i përkiste edhe një burri. Vepra mund të quhej edhe “Burri i thyer”. Autorja ka qenë një aktiviste e grave në vitet e 60-ta.”, - theksoi aktorja, Adriana Tolka.
Koordinatori i Festivalit ndërkombëtar të Teatrove, Muzafer Etemi, kërkoi falje publikut, i cili edhe mbrëmë qëndroi në këmbë, shkaku kushteve. Etemi tha se ne do të vazhdojmë të sjellim shfaqje Tetovës edhe me këto kushte që kemi.
“Është nata e dytë që duhet t’u kërkoj falje atyre që ishin në këmbë dhe e përcollën shfaqjen me shumë kureshtje deri në fund. Por këta janë kushte, ky lloj i shfaqjes kërkon sallë të vogël, kushte specifike, por ne ato kushte nuk i kemi dhe improvizojmë një sallë këtu prapa në skenë. Natyrisht kam qenë dhe jam kritikues i atyre që duhet ta bëjnë punë e tyre, po ndërtohet andej, teatri se deri kur do të ndërtohet, nuk e dimë. Këto janë kushtet tona. Me këto kushte mundohemi t’i servojmë publikut tetovar shfaqje, sepse ka nevojë për një gjë të tillë.”, - theksoi koordinatori i FNTT-së, Muzafer Etemi.
“Krokodili” do të jetë shfaqja e fundit në kuadër të festivalit që sonte do ta sjellin para publikut tetovar, aktorët e Teatrit shqiptar për fëmijë dhe të rinj, Shkup.
VISAR SADIKI
