Botë
Haradinaj mbështetje Kurtit për pranimin e propozimit
27.10.2023 15:15
Ish-kryeministri njëherit edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj...

Ish-kryeministri njëherit edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dalë në mbështetje kryeministrit, Albin Kurti, për pranimin e propozimit të ndërmjetësve në Bruksel. Ai njëherit ka kërkuar që BE-ja t’i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.
“Kryeministri Kurti me pranimin e propozimit të pesëshes për implementim, në këtë rast e ka vendosur Kosovën në pozicion të duhur në këtë kohë pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog. Sipas bindjes sime, pas zhvillimeve të djeshme, BE-ja duhet t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës menjëherë. Qeveria e Kosovës, kryeministri ka marrë obligim dhe ka shprehur gatishmëri të zbatojë dokumentin që ka sjellë pesëshja dhe nuk ka bërë vërejtje në dokument, por ka shprehur kërkesa të tjera. Me këtë besoj që BE-ja duhet të na heqë menjëherë sanksionet.”, - deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
PDK dhe LDK: Kurti pranoi asociacionin
Por, këtë qëndrim nuk e ndajnë dy partitë tjera opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja.
“Çka fituam ne, çka fitoi Kosova pas sulmit të 24 shtatorit, sanksionet nuk na u hoqën, Serbisë sanksionet nuk iu vendosën dhe përfunduam në pranimin e një drafti të asociacionit nga kryeministri Kurti, ndërkohë që Kosova nuk fitoi asgjë.”, - theksoi Blerta Deliu nga PDK-ja.
“Kryeministri e pranon Asociacionin, por nuk raporton në Kuvend. Si mund të pranohet kjo sjellje dhe si është e mundur që të sillemi si gjë normale kur Kurti ka bërë dhunë jashtë dhe brenda Kuvendit ta pranojë Asociacionin.”, - u shpreh Arben Gashi nga LDK-ja.
Kosova nuk fitoi asgjë, Rama: Kurti bëri gjënë e duhur
Ndryshe nga opozita kosovare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar se Kosova bëri gjënë e duhur në takimin e Brukselit. Sipas tij, me këtë veprim Kosova ndodhet në pozicion më të mirë, teksa shtoi se është koha që Serbia të bëjë të njëjtën gjë, të pranojë propozimin e ndërmjetësve.
GYLTENE SINANI
