Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, opozita shqiptare i preferon në të njëjtën datë
27.10.2023 15:33
Opozita shqiptare vlerëson se zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare...

Opozita shqiptare vlerëson se zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të mbahen në të njëjtën kohë. Kreu i Lëvizjes Demokratike thotë se cilado nga tre datat e përmendura nga shumica për to janë të pranueshme.
“Për ne më me rëndësi është që ta detyrojmë këtë pushtet drejt zgjedhjeve fer dhe demokratike. Qëndrimi jonë është se realisht në vend kemi një krizë ekonomike dhe qytetarët janë të lodhur dhe mendoj se nuk kemi nevojë dy herë t’i lodhim qytetarët dhe të bëhen harxhime të dyfishta, kur dallimi në mes zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentarëve është 2 apo 3 muaj.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
Opozita shqiptare kërkon anëtarin e saj në KShZ
Opozita po ashtu ka kërkuar vendin e një anëtari në KShZ, që sipas Bilall Kasamit nga Lëvizja “Besa” u takon pasi ASh-ja tanimë është pjesë e Qeverisë.
“Opozita e bashkuar shqiptare ka legjitimitetin të kërkojë përfaqësim adekuat në organet zgjedhore. Kemi paraqitur iniciative konkrete për të plotësuar vendin tonë me anëtarë në KShZ-së dhe kërkojmë nga deputetët e BDI-së dhe LSDM-së të mos gjejnë arsye për ta vonuar atë apo për ta shmangur përmbushjen e këtij obligimi ligjor me interpretime iracionale. Bujar Osmani ka tentuar ta keqpërdorë kryesimin me OSBE-në për të ndikuar në vendimin për numrin e vëzhguesve nga OSBE për në procesin zgjedhor.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Opozita shqiptare: Tre kushte për partnerin maqedonas në Qeveri
Kurse për numrin një të partisë Alternativa, Afrim Gashi, opozita e bashkuar shqiptare do të ketë tre kushte për cilindo partner maqedonas me të cilët do të formohet qeveria e re.
“Ne do të kemi tre kushte të cilat janë të lidhura ngushtë me ndryshimet kushtetuese. Kushti i parë është me rrugëtimin tonë të BE-së dhe për këtë ne nuk do të kemi asnjë kompromis. Kushti jonë i dytë ka të bëjë me amendamentin kushtetues për mosvjetërsim të lëndëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kushti i tretë ka të bëjë me formulimin ofendues dhe fyes për gjuhën shqipe.”, - deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Tre partitë opozitare shqiptare po ashtu paralajmëruan se së shpejti do ta zbardhin emrin e kandidatit të tyre, i cili do të garojë në zgjedhjet presidenciale, ndërsa përsëritën ftesën për ASh-në që të bëhet pjesë e koalicionit opozitarë.
FITIM KRYEZIU
