Botë
Izraeli, operacion ushtarak në Gaza, Majkëll: Konflikti mund të përshkallëzohet
27.10.2023 15:51
Vazhdojnë luftimet izraelito-palestineze...

Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një operacion të ri në Gaza ku janë përdorur edhe tanket, për, siç thonë “kapjen e pjesëtarëve të Hamasit”. Pavarësisht thirrjeve nga shumë shtete për të ndërprerë luftimet, ushtria izraelite njoftoi se kjo është vetëm një parapërgatitje për fazën e ardhshme të luftës.
"Gjatë ditës, forcat e këmbësorisë, trupat e blinduar, trupat inxhinierike, të shoqëruara me avionë kanë kryer një bastisje të synuar në Rripin qendror të Gazës, si pjesë e përgatitjeve për fazat e ardhshme të luftës. Hamasi preferon në çdo kohë të rrezikojë banorët e Rripit për hir të mbrojtjes së terroristëve.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari.
Sipas presidentit të Këshillit të BE-së, konflikti mes Izraelit dhe Palestinës, mund të përshkallëzohet jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel global.
"Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo situatë është jashtëzakonisht e rrezikshme për rajonin dhe botën dhe kjo është arsyeja pse ne jemi kaq aktiv. Ne përpiqemi të shmangim përballjen me një përshkallëzim rajonal, i cili mund të kalojë në përmasa botërore. Rreziku qëndron nëse Irani përfshihet drejtpërdrejt ose nëpërmjet prokurave, gjë që do ta vështirësonte situatën shumë. Liderët e rajonit më tërhiqnin vëmendjen për rëndësinë e punës së bashku në një mënyrë e koordinuar për të parandaluar rrezikun e përshkallëzimit të luftës.”, - theksoi presidenti i Këshillit të BE-së, Çarlls Majkëll.
Filipe Lazarini, komisionari i Përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Palestinën, akuzoi komunitetin ndërkombëtar se ua ktheu shpinën civilëve në Gaza, duke shtuar se ishte "çnjerëzore" barazimi i civilëve palestinezë me Hamasin.
"Ndërsa ne flasim, njerëzit në Gaza po vdesin. Ata nuk po vdesin vetëm nga bombat dhe goditjet. Së shpejti shumë të tjerë do të vdesin nga pasojat e rrethimit të vendosur në Rripin e Gazës. Të barazosh Gazën me Hamasin është shumë e rrezikshme dhe mashtruese, është një ekuacion që synon çnjerëzimin e njerëzve dhe synon të justifikojë të pajustifikueshmen. Të paktën 57 kolegë të mi konfirmohen të vrarë. Brenda një dite u vranë 15. Ata ishin nëna, baballarë, njerëz të mrekullueshëm.”, - u shpreh komisionari i Përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara, Filipe Lazarini.
Situata në Gazë për civilët sa vjen e vështirësohet. Bllokimi i ndihmave humanitare kërcënon mijëra jetë njerëzish.
“Njerëzit rrezikojnë jetën e tyre dhe qëndrojnë me orë të tëra në radhë në furrat e bukës që funksionojnë për të siguruar bukën. Shumë prej tyre po shkojnë në shtëpi duarbosh, thjesht nuk jemi në gjendje të plotësojmë kërkesat e të gjithë njerëzve që banojnë në strehimore, civilët mund të vdesin urie.”, - theksoi drejtori i Programit Botëror të Ushqimit, Samer Abdeljaber.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, në raportin e fundit njoftoi se 7,028 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori. Midis të vdekurve janë 2,913 fëmijë. Ndërsa, nga pala izraelite janë vrarë mbi 1,400 njerëz.
FARIJE DAUTI BAKIJU
