Maqedoni
Qendrën evropiane kundër kërcënimeve hibride, Osmani: Prej sot RMV-ja anëtare e kësaj qendre
27.10.2023 16:45
Maqedonia e Veriut, anëtare 35-të e qendrës evropiane për luftën kundër kërcënimeve hibride...

Maqedonia e Veriut, anëtare 35-të e qendrës evropiane për luftën kundër kërcënimeve hibride, njofton nga Helsinki ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Kyçja e vendit tonë në këtë qendër sipas Osmanit është domethënëse, sepse po ndodh në momentin kur e gjithë bota po përballet me sulme hibride të intensifikuara.
Duke qenë anëtare e kësaj qendre, vendi rrit kapacitetet për ballafaqim me këto kriza, thotë Osmani, ndërkaq për grupin paraqet vlerë të shtuar për shkak të mundësisë për shkëmbim të informacioneve dhe praktikave.
“Vlerësoj se në kësi kohëra të implikuara nga konteksti i ri gjeopolitik, të gjitha sfidat që i ka Ballkani Perëndimor me procesin e anëtarësimit në BE dhe me çështjet e hapura, e bëjnë rajonin tonë tokë pjellore për kërcënimet hibride, për të cilat kemi qenë dëshmitarë dhe vlerësoj se jemi akoma çdo ditë dëshmitarë të rreziqeve të tilla që e rrënjosin demokracinë, stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të RMV-së.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Qendra evropiane kundër kërcënimeve hibride ndan mendimin për bashkëpunim me vendin tonë në këtë fushë rreziku.
“Është shumë me rëndësi që pata mundësi t'i uroj Maqedonisë mirëseardhjeje me perspektivën e vet rajonale dhe miratimet e saja në këtë fushë. Do të jetë zë i rëndësishëm në klubin tonë dhe do të sjellë ekspertiza rajonale në rrjetin tonë. Shpresoj për bashkëpunim të ndërsjellë, të ofrojmë ekspertizë, t'i kundërvihemi kërcënimeve hibride, të cilat janë bërë shumë të vështira.”, - theksoi drejtoresha e Qendrës evropiane kundër kërcënimeve hibride, Teija Tilikainen.
Qendra evropiane e ekselencës kundër kërcënimeve hibride është themeluar nën patronazhin e BE-së dhe NATO-s në vitin 2017 dhe ka për mision forcimin e sigurisë së vendeve pjesëmarrëse. Maqedonia e Veriut ka nisur procedurën për anëtarësim në vitin 2019.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
