Maqedoni
Pensionistët, protesta për rritjen e pensioneve
27.10.2023 17:03
Vazhdon revolta dhe pakënaqësia e pensionistëve për rritjen e pensioneve të tyre...

Vazhdon revolta dhe pakënaqësia e pensionistëve për rritjen e pensioneve të tyre. Në qytetin e Prilepit u mbajt protesta e tyre në të cilën paralajmëruan se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre.
Kërkojnë rritje lineare prej 5 mijë denarëve dhe pensioni minimal të përcaktohet prej 18 deri në 20 mijë denarëve. Ankohen se janë viktima të tranzicionit dhe privatizimit dhe se me pensionet aktuale që marrin iu është cenuar e drejta e tyre për të pasur jetë më dinjitoze. Planifikojnë që protestat t’i zhvendosin para ambasadave të huaja.
“Dëshiroj t’i pyes presidentin e shtetit, kryeministrin, deputetët dhe ministrat se qytetarë të kujt jemi ne? Pse e lejuan këtë gjendje për pensionistët? Na lanë rrugëve, ndërsa ne jemi ata të cilat i votuan për të ulur ata në karriget e tyre. Ne mbetemi në kërkesat tona, sepse e dimë se çdo gjë është e mundur nëse ka vullnet. Po miratohen ligje me procedura të shkurtuara dhe me flamurin evropian, ndërsa është për të ardhur keq dhe është e turpshme të shkojmë në BE me pensione të ulëta prej 12 mijë denarëve. Ne e dimë se çdo gjë është e mundur, ne i dimë të drejtat tona, andaj dhe do të mbetemi në rrugëve dhe nëse ka nevojë do të shkojmë edhe para ambasadave, sepse jemi të vetëdijshëm se edhe bota e kuptoi hallin tonë.”, - u shpreh një pensioniste.
Tashmë një kohë më të gjatë pensionistët janë duke protestuar në shumë qytete me kërkesën për rritjen e pensioneve.
REXHEP QAMILI
