Hekurudhat, anulimi i trenave Shkup-Manastir

27.10.2023 17:47

Stacioni hekurudhor në Shkup...

Stacioni hekurudhor në Shkup është pothuajse i zbrazët, nuk ka pasagjerë që shfrytëzojnë trafikun hekurudhor dhe se numri i udhëtarëve është në rënie.

Disa nga udhëtarët janë të irrituar duke pritur trenin për në Veles, i cili ishte planifikuar të arrijë për në orën 13:20, por kishte paralajmërime se mund edhe të vonohet.

Pas anulimit edhe të dy linjave për Shkup-Manastir dhe anasjelltas, udhëtarët janë gjithnjë e më të revoltuar dhe thonë se presin me orë të tëra në stacionin e trenit.

“Ne dje ishim këtu, treni nuk erdhi dhe unë u ktheva. Unë shkoj për në Manastir, sot kishe lajmërim se do të ketë tren, thanë se do të vijë në orën 14:30.”, - tha një qytetar.

“D.m.th. çdo herë trenat vonohen, nuk janë të rregullt. Është e tmerrshme brenda, nuk ka higjienë brenda trenit.”, - tha një qytetar tjetër.

“Trenat vonohen vazhdimisht, disa anulohen. E gjithë bota po ecën përpara sa i përket hekurudhave, vetëm ne kujtojmë kohët e vjetra.”, - u shpreh një qytetar.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në Hekurudhat e RMV-së nga buxheti i këtij viti janë ndarë 640 milionë denarë, nga buxheti i vitit paraprak janë ndarë 918 milionë denarë, ndërsa për infrastrukturë edhe këtë vit janë planifikuar 320 milionë denarë, sikurse vitin e kaluar. (Sedat Selimi, TVM2)