Botë

Rripi i Gazës, Izraeli intensifikoi ofensivën, sulme edhe nga toka

28.10.2023 16:03

Këmbësoria, automjetet e blinduara, sulmet masive ajrore dhe detare...

Këmbësoria, automjetet e blinduara, sulmet masive ajrore dhe detare. Tel Aviv njoftoi zyrtarisht ofensivën e re tokësore në Gaza. Vullnetarët po armatosen ndërsa tanket dhe trupat izraelite grumbullohen në kufi.
 
“Ata nuk janë njerëz, ata janë monstra. Duhet të marrim Gazën. Ajo na përket neve dhe më pas duhet ta transferojmë tek autoritetet palestineze.”, u shpreh një vullnetar izraelit.
 
Të gjitha shërbimet e komunikimit janë çaktivizuar në Rripin e Gazës ku ka ndodhur deri tani bombardimi më intensiv. Goditën 150 objektiva nëntokësorë. Një komandant i lartë i Hamasit, Assem Abu Raqaba, i cili, sipas Izraelit, ishte drejtpërdrejt përgjegjës për sulmet e 7 tetorit, u vra gjithashtu.
 
“Ne po përparojmë në fazat e luftës në Gaza. Mbrëmë forcat tona kanë hyrë në zonën e pjesës veriore të  Rripit të Gazës dhe kanë zgjeruar aktivitetin në terren. Po marrin pjesë forcat e këmbësorisë, inxhinierisë, artilerisë, të shoqëruara me zjarr masiv.”, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari. 
 
Hamasi i kundërpërgjigjet sulmit. Mijëra raketa të lëshuara nga territori palestinez. Sirenat paralajmëruan në qytetin jugor të Ashkelon. Izraeli pretendon se selia e Hamasit është në bodrumin e spitalit më të madh "Shifa", ai koordinon sulmet ndaj Izraelit nga atje. Pavarësisht thirrjeve për ndërprerjen e zjarrit, asnjë armëpushim nuk është në horizont. Bisedimet e 7 tetorit për pengjet mes Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuara nga Katari, janë pezulluar pas zhvillimeve të fundit. Kriza humanitare po përkeqësohet. Fati i 2.3 milionë njerëzve është i pasigurtë.
 
“Nuk ka vende të sigurta, qofshin ato xhami, kisha apo spitale. Kudo që të shkoni apo të shikoni, do të gjeni rrënoja. Kjo ishte nata më e frikshme ndonjëherë.”, tha Foad Ayad, banor i Gazës.
 
“Këto janë krime lufte në çdo kuptim të fjalës.”, tha Jamal Huwail, banor.
 
“Ne u shndërruam në lypës. Ne vrapojmë pas kamionit të ujit që të mund të pimë. Kjo nuk është jetë.”, tha Rahim Daher, banor.
 
Një grua shtatzënë është nxjerrë nga nën rrënoja.
 
“Fatkeqësisht, ajo nuk mbijetoi. Fëmija është gjallë dhe është bërë reanimacioni neonatal. Gjendja e saj është mesatare në të mirë.”, tha Ahmed Al-Fara, udhëheqës i departamentit të pediatrisë.
 
Deri më tani, mbi 7,300 njerëz kanë vdekur në sulmet izraelite, më shumë se 60 për qind e tyre janë fëmijë dhe gra. Bllokada e Gazës ka bërë që furnizimet janë pakësuar dhe OKB-ja ka paralajmëruar se operacioni i saj i ndihmës që ndihmon qindra mijëra njerëz po "kolapsohet" pasi i mbaron karburanti.
 
ADNAN HAJDARI