Botë
SHBA, vrasësi masiv gjendet i vdekur
28.10.2023 16:55
Pas 48 orësh të kaluar në frikë dhe pasiguri, banorët e qytetit Leviston në shtetin amerikan Mejn mund të jenë më të qetë...

Pas 48 orësh të kaluar në frikë dhe pasiguri, banorët e qytetit Leviston në shtetin amerikan Mejn mund të jenë më të qetë. Ka përfunduar kërkimi intensiv për të dyshuarin e masakrës, në të cilën ishin përfshirë mbi 350 policë. Sulmuesi 40-vjeçar u gjet i vdekur me një plagë me armë zjarri që tregonte për vetëvrasje. Trupi i Robert Kordit është gjetur në një impiant riciklimi ku ai ka punuar më parë. Ai kishte veshur të njëjtat rroba që nga dita kur kreu aktin e rëndë.
“Si shumë njerëz, sonte marr frymë më lehtë, duke e ditur që Robert Kord nuk është më një kërcënim për askënd. E di që ka shumë njerëz që ndajnë të njëjtën ndjenjë, por e di gjithashtu se vdekja e tij nuk është ngushëllim për shumëkënd. Por tani është koha për të shëruar plagët. Kërkimi ka përfunduar. Zbatimi i ligjit vazhdon të hetojë plotësisht faktet.”, tha Janet Mills, guvernatore e Maine.
“Do të pikëllohemi për familjet që humbën të dashurit e tyre. Ne do të vazhdojmë të punojmë. Ne do të ngulmojmë dhe do të bëhemi njerëz më të mirë, sepse punojmë si ekip. Mësuam shumë nga disa gabime. Ne morëm shumë mësime.”, tha David St. Pierre, shefi i policisë së Lewiston.
Qyteti paqësor i Lewiston u mbulua me të zeza të mërkurën, pasi një ish-rezervist vrau 18 persona dhe plagosi 13 pas disa orësh të shtënave në të gjithë qytetin. Sulmuesi 40-vjeçar hyri me armë gjysmë automatike në një restorant dhe një sallë bowling dhe qëlloi në mënyrë të pakontrolluar drejt të pranishmëve.
“Pasi mora lajmin se Arturi ishte në spital, dëgjova edhe se djali im i adoptuar Justin ishte i plagosur dhe në terapi intensive. Shumë stresuese dhe e frikshme.”, tha nëna dhe gruaja e të plagosurve në masakër.
“Ajo është e qetë tani për tani, po e përballon mirë. Por fatkeqësisht Toni pa që trajneri i saj i bowlingut të qëllohej, gjë që është e tmerrshme. Unë thjesht nuk mund ta imagjinoj se çfarë po kalon ajo.”, tha gjyshi i një të mbijetuari nga të shtënat.
Hetimet për vrasjen masive janë duke vazhduar, ende nuk janë bërë të ditur motivet e sulmit, por bëhet e ditur se i dyshuari kishte probleme mendore dhe për një kohë ishte i shtruar në spitalin psikiatrik.
MERALE ISMAILI
