Maqedoni

Ndotja e ambientit, vetëm një kallzim penal gjatë vitit 2022

29.10.2023 14:55

Inspektorati Shtetëror i Ambientit gjatë vitit të kaluat ka ngritur vetëm një kallzim penal për ndotje të ambientit....

Inspektorati Shtetëror i Ambientit gjatë vitit të kaluat ka ngritur vetëm një kallzim penal për ndotje të ambientit. Drejtori i këtij institucioni për Radion Europa e Lirë thotë se kundërvajtjet nuk kanë munguar por që djegia e kallamit në buzë të liqenit të Ohrit ka përfunduar ligjërisht.
 
“Këtë vit kemi ngritur kallëzime për kundërvajtje në vlerë prej rreth 600 mijë euro. Disa prej tyre janë dorëzuar për zgjidhje në komisionin pranë Ministrisë së Mjedisit, ndërsa disa janë proceduar në gjykatat kompetente. Kemi ngritur vetëm një kallëzim penal, kjo është djegia e kallamit  në rajonin e liqenit të Ohrit. Bëhet fjalë për një kallëzim penal që është bërë për momentin.”, tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Ambientit, Sreten Stojkovski. 
 
Drejtori sqarohet për numrin e lartë të kundërvajtjeve në raport me kallzimet penale. Thotë se ligji lejon tre shkelje dhe më pas ngritet procedurë penale. Stojkovski nënvizon se edhe me kundërvajtjet pasojnë gjoba të larta duke përgënjeshtruar tendencat se shkelësit motivohen më shumë për të ndotur pasi nuk ndiqen penalisht.
 
“Nuk do të kisha thënë se kanë llogari të ndotin. Ka raste kur ndodhin incidente dhe ne i sanksionojmë dhe ata duhet të sanojnë zonën nga ndotja dhe të paguajnë dënime të larta. Dënimet lëvizin deri në 200 mijë euro.”, tha Stojkovski.
 
Tani në prag të sezonit të ngrohjes, kur qindra objekte ngrohen me derivate të naftës, nga inspektorati paralajmërojnë kontrolle dhe nëse tejkalohen parametrat e lejuar do të pasojnë sanksione.
 
MERALE ISMAILI