Maqedoni

Strugë, trotuaret e larta pengesë për lëvizje me karrocë

29.10.2023 15:33

Trotuaret e larta në qytetin e Strugës janë bërë një sfidë e madhe për nënat me fëmijë të vegjël dhe për personat të cilët lëvizin me ndihmën e karrocës....

Trotuaret e larta në qytetin e Strugës janë bërë një sfidë e madhe për nënat me fëmijë të vegjël dhe për personat të cilët lëvizin me ndihmën e karrocës. Në disa pjsë të qytetit, në hyrje të trotuarit ka hapësirë të rrafshtë, ndërsa nuk ka hapsirë për të dalur nga trotuari. Ngjashëm është edhe ura e drurit, ku në njërën anë ka rampë, ndërsa ana tjetër nuk ka, duke e bërë të pamundur kalimin për nënat me fëmijë por edhe për personat që lëvizin me karrocë. Aktivistja strugane Shefkije Alasani Dika thotë se duhet të merren masa për të krijuar kushte për lëvizje të lirë të nënave që kanë fëmijët në karrocë dhe personave me nevoja të veçanta.
 
“Për nënat dhe personat të cilit lëvizin me ndihmën e një karroce, lëvizja në qytetin e Strugës është një Një tjetër problem shumë i madh është edhe mungesa e rampave, shembull është ura e drurit e Strugës, ku ka një ramp edhe pse ajo rampë është e papërshtatshme sepse pjerrtësia e asaj është aq e madhe sa më shumë rrezikon lëvizjen se sa lehtëson për fëmijën, mos flas për personat që lëvizin me karrocë. Ndërkohë nga ana tjetër ka vetëm shkallë dhe ti duhet ta mbajsh karrocën në krahë.”, tha Shefkije Alasani Dika, aktiviste, nënë. 
 
Një tjetër problem shqetësues është edhe fakti se nga mungesa e parkingjeve, trotuaret mbushen me vetura të cilat parkohen, sidomos gjatë verës, që e bën edhe më sfiduese që të lëvizin personat me karrocë. Qasja është e vështirë edhe në pjesën më të madhe të institucioneve dhe bizneseve private.
 
“Unë si nënë kam përjetuar eksperiencat nga më të ndryshmet, një fakt tjetër është që shpesh trotuaret janë të zëna nga makinat të cilat janë të parkuara, detyrohem me vajzën e vogël të ecë në mes të rrugës e nga ana tjetër shoferët të cilët janë të revoltuar e bërtasin se ku po shkon në mess të rrugës, është një realitet i dhimbshëm.Është dukuri normale në bankë nëse shkon është e pamundur të hysh me karrocë me fëmijë sidomos me sistemin e ri të sigurisë ku duhet të kalosh me dy dyer. Mungesa e rampave është normale, në fakt çuditesh kur një institucion apo biznes privat ka rampë, është për të ardhur keq.”, tha Dika.
 
Nga komuna e Strugës për TVM2 thonë se janë duke punuar në drejtim për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve. Ata premtojnë marrjen e masave konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.  
 
ILMIE ZHAKU