Botë

Protesta masive në mbarë botën për t'i dhënë fund dhunës në Gaza

29.10.2023 16:30

Pamjet e vuajtjeve që po kalojnë civilët në Rripin e Gazës, ngritën botën në këmbë...

Pamjet e  vuajtjeve që po kalojnë civilët në Rripin e Gazës, ngritën botën në këmbë. Të bashkuar nga Stambolli deri në Londër dhe Nju Jorku, Berlini dhe Roma, shumica i thanë një "jo" të qartë vuajtjes çnjerëzore dhe kushteve katastrofike me të cilat përballet populli i Gazës që nga fillimi i konfliktit midis militantëve të Hamasit dhe Forcave të Mbrojtjes izraelite. 

Qindra amerikanë marshuan nëpër rrugët e Nju Jorkut, disa prej tyre sulmuan stacionin e trenit Grand Central, të veshur me bluza të zeza me mesazhet "Ndaloni sulmet tani" dhe "Liri për palestinezët", duke brohoritur në mbështetje të palestinezëve. Mbi 300 persona u arrestuan. Në Londër, policia u përlesh me protestuesit pro-palestinezë. Mijëra londinez kërkojnë ndalimin e sulmeve në Gaza.
 
“Zgjidhja duhet të gjendet në mënyrë paqësore. Muslimanët mund të jenë paqësor globalisht. Për një kohë të gjatë ishim të terrorizuar dhe viktima. Ka ardhur koha për ta ndryshuar këtë.”, u shpreh një protestuese në Londër.
 
“Ajo që po bën Izraeli po normalizohet në mbarë botën. Ne jemi këtu për ta ndaluar atë. Ne duhet të ngrihemi kundër shtypjes, të gjithë duhet të marshojmë në çdo rast, për solidaritet, për Palestinën.”, tha një protestues në Londër.
 
Protesta më masive u zhvillua në Stamboll. Rreth një milion demonstrues dolën për të protestuar në mbështetje të popullit palestinez. Fjalimi i ashpër i presidentit turk Erdogan duke akuzuar Izraelin për krime lufte ndezi më tej atmosferën, me Tel Avivin që tërhoqi diplomatët për të rishikuar marrëdhëniet me Ankaranë.
 
“Ajo që po ndodh në Palestinë nuk është një luftë, është një masakër, një gjenocid. Derisa masakra dhe lufta të përfundojë, gjithçka për të cilën do të flasim është Palestina.”, u shpreh një protestuese në Stamboll.
 
Në Romë, qindra demonstrues me mesazhe emocionale për paqe dhe apel për t'i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.
 
“Ne jemi këtu për të protestuar kundër gjenocidit që ka ndodhur në Gaza dhe Palestinë për shumë vite, ne nuk duhet të pranojmë që krimet po ndodhin para syve tanë.”, u shpreh një protestuese në Romë.
 
“Kjo është një çështje që vazhdon prej kohësh. Ka vite e vite të shtypjes, pushtimit, vrasjes së fëmijëve dhe civilëve. Dikush duhet ta ndalojë këtë.”, tha një protestuese në Romë.
 
Fatkeqësia humanitare në Rripin e Gazës po thellohet çdo ditë. Banorët kanë mbetur pa produkte ushqimore bazë, pa ujë dhe energji elektrike. Spitalet janë plot me të plagosur, por pa ilaçet dhe preparatet e nevojshme. Që nga fillimi i luftës midis Hamasit dhe Izraelit, rreth 8,000 civilë kanë vdekur dhe rreth 20,000 janë plagosur.
 
ADNAN HAJDARI