Maqedoni
Tetor, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, qytetarët: Nuk ka termine për kontrolla
29.10.2023 16:54
Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit...

Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Është një fushatë vjetore ndërkombëtare që ka për qëllim të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit. Për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.
Sipas të dhënave nga ISHP numri i rasteve të reja ashtu edhe numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit janë në rritje. Shkaku më i shpeshtë i vdekjeve nga neoplazmat malinje te femrat në periudhën 2010-2022 është neoplazma malinje e gjirit, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik.
Sipas radiologut Argjent Ymeri kanceri i gjirit prek më shumë moshat e vjetra por nëse zbulohet në fazë të hershme atëherë edhe mjekohet.
“Nëse ne kemi realisht vdekshmërinë numër një tek gratë nga kanceri i gjirit pasi është një sëmundje jo e prevenueshme në atë aspekt që ta prevenojmë që jo të paraqitet, por e mjekueshme plotësisht nëse ne kemi arrit një nivel të tillë të vetëdijësimit të grave kur sëmundjen do e zbulojmë në fazë. Kjo flet se shumë pak kemi bërë në drejtim të formës institucionale por edhe si medium, si profesionist shëndetësor por edhe nga shoqatat e ndryshme që janë në mbështetje të grave të diagnostikuara me kancer.”, u shpreh radiologu Argjent Ymeri.
Qytetarët thonë se është e pamundur të caktohet termin për mamografi dhe eho të gjirit në shëndetsinë publike, prandaj në rast nevoje kontrollet i bëjnë privat ku kushtojnë më shumë se 6 mijë denarë, e që jo çdo grua ka mundësi financiare.
“Kur kam bërë kontrolla i kam bërë privat sepse te e shtetit nuk funksionon fatkeqësisht, ndërsa të gjithë paguajmë sigurim shëndetësor. Parandalimi është shumë i rendësishëm, të gjitha gratë duhet ti bëjnë kontrollet e rregullta, jo pasi të paraqitet sëmundja se pastaj është vonë.”, u shpreh një qytetare.
“Po i bëj me rregull kontrollat, mendoj se kishte skrining diqka sipas programit dhe i kanë ftuar gratë për kontrolla.”, tha një qytetare.
Sipas të dhënave nga ISHP 338 persona kanë humbur jetën nga kanceri i gjirit në vitin 2016, ndërsa vitin e kaluar– 356 gra humbën betejën me këtë sëmundje.
VLORA LATIFI TOPOJANI
