Maqedoni

Dhuna në bazë gjinore pak hapësirë në media, mungesa e etikës çon në riviktimizimin e viktimës

29.10.2023 17:17

Mbeten një varg pyetjesh, që nuk janë trajtuar në mënyrë konzistente dhe në vazhdimësi gjatë raportimit mediatik për temat e dhunës në bazë gjinore...

Mbeten një varg pyetjesh, që nuk janë trajtuar në mënyrë konzistente dhe në vazhdimësi gjatë raportimit mediatik për temat e dhunës në bazë gjinore, tregon analiza e fundit e Institutit për Studime të Komunikimit. Mediat janë në garë të vazhdueshme për tituj sensacional dhe klikime kur raportohet për dhunën në bazë gjinore, ndërsa harrojnë rregullat etike dhe profesionale, gjë që çon në stigmatizimin dhe etiketimin e mëtejshëm të viktimës, thotë Marina Tuneva për TVM2. 
 
“Rezultatet tregojnë se kjo temë mungon në etër për shkak të ngjarjeve ditore politike të cilat çdoherë kanë prioritet. Ndërsa më së shpeshti informohet vetëm kur ka ditë të shënuara ose ndodhin incidente të caktuara në këtë temë. Por për fat të keq nuk ka kontinuitet  në informim. Ajo që mbetet shqetësuese ëshë fakti që shpesh paraqiten raste të informimit joetik dhe joprofesional dhe senzacionalizëm gjatë informimit gjegjësisht thehet neni 8 i Kodit të gazetarëve.”, tha për TVM2 ekspertja e komunikologjisë, dr. Marina Tuneva.
 
Me këtë nuk mbrohet privatësia jo vetëm e personit që ka kaluar një përvojë të tillë traumatike, por edhe familjes së viktimës, ndërsa vizuelizimi i gabuar çon në reviktimizimin e viktimës, shton më tej Tuneva.
 
“Mediat duhet të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes për këtë temë, të edukojnë duke dhënë shpjegime rreth masave dhe shërbimeve të cilat qëndrojnë në dispozicion. Të konsultohen aktorët relevant, institucionet të cilat i japin këto shërbime si dhe sektorin qytetar. Duhet gjithashtu ndërtim i kapaciteteve profesionale në vetë redaksitë nëpërmjet aktivitetet e ndryshme.”, tha Tuneva.
 
Përveç ndërgjegjësimit, media ka fuqinë të ndikojë edhe në politikat publike, duke nxitur ndryshime në ligje dhe politika që promovojnë barazinë gjinore, theksohet në publikimin “Analiza dhe udhëzimet praktike se si duhet raportuar në mënyrë etike mediat për dhunën në bazë gjinore” ku autore janë Marina Tuneva dhe Natasha Boshkova.
 
LEONORA KALIQI