Maqedoni

Këshilli gjyqësor, Manevi sërish në krye të Gjykatës në Kumanovë

30.10.2023 14:40

Edhe përkundër konstatimeve të Këshillit Gjyqësor, se gjykatësja Snezhana Manev në Kumanovë...

Edhe përkundër konstatimeve të Këshillit Gjyqësor, se gjykatësja Snezhana Manev në Kumanovë, ka shpërdorur me sistemin AKMIS, si dhe ka cenuar raportet ndërnjerëzore në gjykatë, asaj sërish iu besua edhe një mandat për të udhëhequr me Gjykatën në Kumanovë. Për zgjedhjen e Manevës si kandidate e vetme votuan 9 anëtarë të Këshillit, derisa vetëm anëtari Milazim Mustafa ishte kundër.
 
“Unë votova kundër pasi që kishim raport negativ nga kontrolli i fundit në këtë gjykatë në kohën kur ky kandidat ka qenë ushtrues detyre, gjegjësisht kryetare e gjykatës. Gjithashtu kemi paralajmërime serioze për keq menaxhim me gjykatën. Raportet ndërnjerëzore në këtë gjykatë janë në nivelin më të ulët të mundur dhe këtë e kanë thënë edhe të punësuarit, gjykatësit dhe të tjerët në gjykatë.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa.
 
“Pasi u tha se ka raport negativ, ne e zgjedhim për kryetare. Unë me sa e di, në mënyrë plotësuese u bisedua me gjykatës nga Gjykata në Kumanovë dhe se shumica prej tyre sa kam unë njohuri nuk treguan mos besim për kryetaren. Nuk bëhet fjalë për atë se ka raport negativ dhe se ne votojmë "për". Nuk do të kisha votuar "për", nëse do të kishe pasur një raport të tillë që e vë në pikëpyetje integritetin e gjykatëses.”, - deklaroi anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Meri Radevska.
 
Në raportin e Këshillit Gjyqësor, të realizuar më 1 shkurt të këtij viti, thuhet se Maneva ndaj të punësuarve në Gjykatë sillet në mënyrë jokolegiale dhe përdor terme nënçmuese. “Nga deklaratat e dorëzuara me shkrim të gjyqtarëve të përmendur, si dhe pas deklaratave të tyre, mund të konstatohet shkelje e marrëdhënieve ndërpersonale dhe pakënaqësi gjatë përgatitjes së orarit vjetor të punës nga pikëpamja e caktimit të gjyqtarëve për t'u marrë me llojet e rasteve.”,  thuhet në raport.
 
Pas këtij raporti të punës së publikuar nga Këshilli Gjyqësor, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të ndërmarrë masa në përputhje me ligjin dhe të përcaktojë përgjegjësinë e ushtrueses së detyrës kryetare e Gjykatës Themelore në Kumanovë, Snezhana Manev. 
 
FLORIJE KAMBERI