Maqedoni

Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal, MSh: Janë siguruar 60 mijë vaksina

30.10.2023 15:11

Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar dhe po kryhet në qendrat shëndetësore publike...

Vaksinimi kundër gripit sezonal ka filluar dhe po kryhet në qendrat shëndetësore publike dhe disa nga qendrat shëndetësore në Shkup. Çdo qytetar mund të regjistrohet në faqen vakcinacija.mk dhe do të marrë SMS për ditën, orën dhe vendin e saktë ku mund të vaksinohet kundër gripit sezonal. Edhe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka pranuar vaksinën kundër gripit sezonal në pikën e vaksinimit të punonjësve shëndetësorë, e cila u hap në Institutin e Shëndetit Publik.
 
“Ftojmë qytetarët e interesuar të regjistrohen për vaksinim, vaksinat janë të sigurta dhe efektive. Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka siguruar 60 mijë vaksina të destinuara për imunizimin e kategorive të rrezikut të qytetarëve dhe punonjësve shëndetësorë. Vaksinat për ta janë falas.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
 
Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Besim Zeqiri, po ashtu thotë se vaksinimi mbron organizmin nga gripi dhe viruset gjatë sezonit të dimrit. 
 
“Mënyra më e mirë e për parandalimin e influencës ose gripit është vaksinimi, tashmë e dini se me vite bëhet vaksinimi i popullatës, në kuadër të MSh-së janë siguruar rreth 60 mijë doza që do të përfshijnë kategoritë si moshat mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna, njerëzit me sëmundje kronike, etj., por në Qendrën për Shëndet Publik mund të vaksinohen vullnetarisht edhe persona tjerë jashtë nga ky paket i ministrisë, por do të duhet që të jetë me pagesë dhe kushton 700 denarë.”, - theksoi drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Besim Zeqiri.
 
Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Besim Zeqiri, apelon që  përveç kategorisë së rrezikuar dhe punëtorëve shëndetësor të  vaksinohen edhe personat që punojnë në njësinë e armatës, të policisë, personat që kanë kontakt me shumë individë gjatë punës së tyre, në mënyrë që të arrihet imunitet kolektiv dhe personal.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI