Maqedoni

Fëmijët shqiptarë në paralelen maqedonase, Seferi: I kanë regjistruar pa pëlqimin tonë

30.10.2023 15:29

Nxënësit shqiptarë të shkollës fillore “Njegosh” të Idrizovës figurojnë në ditarin elektronik në paralelet maqedonase....

Nxënësit shqiptarë të shkollës fillore “Njegosh” të Idrizovës figurojnë në ditarin elektronik në paralelet maqedonase. Sipas Këshillit të prindërve shqiptarë, fëmijët janë regjistruar në paralele maqedonase pa pëlqimin dhe dijen e tyre. Kërkojnë nga Ministria e Arsimit që urgjentisht të ndërmarrë masa. Pas këtij akti, prindi Rizvan Seferi, thotë se është e nevojshme që Ministria t’ia marrë kompetencat Komunës së Gazi Babës për menaxhimin me këtë shkollë. 
 
“Kjo është absurde dhe kjo duhet të dënohet. Ne kërkojmë nga Inspektorati që të merret masa ndaj shkollës, ndaj drejtoreshës, se si mundet që fëmijët të regjistrohen pa pëlqimin tonë. Kurse ne e dimë se nga 1 shtatori bëhet hapja e paraleles së gjuhës shqipe, ku së bashku inspektorati ka parë se si janë kushtet, pasi në fillim thuhej se nuk ka kushte, tash që u vërtetua se ka kushte, kërkojmë që gjuha shqipe në shkollën “Njegosh” të hapet deri në klasën e nëntë.”, - u shpreh prindi, Rizvan Seferi.
 
Përndryshe nxënësit shqiptarë të shkollës “Njegosh”, tani më gati dy muaj nuk po ndjekin procesin e tyre mësimor, pasi po u pamundësohet hapja e paraleles në gjuhën shqipe në këtë shkollë. Pala maqedonase propozon që nxënësit shqiptarë, mësimin në gjuhën amtare ta ndjekin në shkollën e fshatit Ognjancë, por për prindërit shqiptarë zgjidhje e vetme e pranueshme është që fëmijët e tyre nga klasa gjashtë deri të nëntën të mësojnë në shkollën “Njegosh”.  
 
ERSAN PAJAZITI