Botë
Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Gazë, mbi 8,000 palestinezë të vrarë dhe mbi 1,500 izraelitë
30.10.2023 17:07
Numri i të vdekurve palestinezë nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 8,306...

Numri i të vdekurve palestinezë nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 8,306, njoftojnë autoritetet në Gazë. Në mesin e të vrarëve janë 3,457 fëmijë dhe 2,136 gra, ndërsa më shumë se 21,048 njerëz janë plagosur.”, tha zëdhënësi i Ministrisë, Ashraf al-Kudra, në një konferencë shtypi në qytetin e Gazës. Ai tha se 25 spitale u detyruan jashtë shërbimit dhe 25 ambulanca u shënjestruan në sulmet ajrore izraelite në Gazë. “Okupatori synon të paralizojë shërbimin e ambulancës.”, tha zëdhënësi. Mjekët në Gaza po punojnë në kushte të tmerrshme.
“Aktualisht kirurgët po operojnë pa anestezi, pa ilaçe kundër dhimbjeve. Ata nuk kanë antibiotikë që të mund të trajtojnë infeksionin. Nuk kanë ujë të pastër që të mund të pastrojnë siç duhet pacientët para dhe pas operacioneve. Pacientët i trajtojnë në dysheme, po amputojnë gjymtyrët e pacientëve pa anestezi. Kjo është e tmerrshme, është çnjerëzore. Mungesa e furnizimeve mjekësore është ferr në tokë.", - theksoi neurologu pediatrik, dr. Omar Abdel-Manan.
Pavarësisht numrit të lartë të civilëve të vrarë, ushtria izraelite pretendon se godet objektivat e Hamasit.
“Ditën e fundit ne zgjeruam operacionin e forcave tona në Rripin e Gazës dhe forca shtesë u futën në rrip. Forcat e këmbësorisë, trupat e blinduar, trupat inxhinierike dhe artileria. Në Sulmet e kombinuara me forcat tokësore dhe forcat ajrore në Rripin e Gazës, trupat kanë eliminuar dhjetëra terroristë të Hamasit, të cilët u barrikaduan brenda strukturave dhe u përpoqën të sulmonin forcat tona.", - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes – Izrael, Danil Hagari.
E gjithë Gaza është shndërruar në hi, të mbijetuarit nuk kanë ujë, ushqim, energji elektrike. Së fundmi është ndërprerë edhe interneti, prandaj për t’u njoftuar me situatën në Gaza është shumë e vështirë.
"Lagjja jonë është afër veriut. Zonat janë të gjitha hi. Çifutët nuk njohin asnjë palestinez, i tërë vendi është nën zjarr. Një ditë më parë goditën me raketa dhe mua më goditën, por fatmirësisht shpëtova. Sot, siç e shihni, i gjithë vendi është rrafshuar.”, - tha një banor i Gazës.
“Kolegët e mi që janë në Gaza, të cilët u përgjigjen nevojave humanitare atje, qëndrojnë plotësisht të përkushtuar ndaj kësaj detyre dhe qëndrojnë plotësisht të disponueshëm në çdo kohë për të ndihmuar këta njerëz. Nuk e di si është gjendja e tyre aktualisht, sepse nuk kemi komunikim, të gjitha rrjetet e komunikimit janë ndërprerë.”, - theksoi koordinatori i komunikimit të Kryqit të Kuq, Stefen Rian.
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez, Hamas, më 7 tetor. Më shumë se 1,538 izraelitë janë vrarë gjatë konfliktit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
