Botë

Vazhdojnë bombardimet mbi Gaza, mijëra të vrarë, shumë fëmijë dhe gra

31.10.2023 14:20

Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës....

Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës. Raportohet për mijëra viktima, shumica e tyre janë gra dhe fëmijë, njofton Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
 
“Nga bombardimet izraelite janë vrarë mijëra civilë. Viktimat përfshijnë 3,542 fëmijë dhe 2,187 gra, ndërsa 21,543 persona të tjerë u plagosën. Sipas raporteve që kemi marrë nga terreni, mbi 2,000 njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja, duke përfshirë 1,100 fëmijë.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë në qytetin e Gazës, Ashraf Al-Kudra. 
 
Organizatat e ndryshme humanitare, në një mbledhje urgjente, kërkuan të ndalen sulmet mbi civilët.
 
“Banorët e Gazës nuk trajtohen si civilët e tjerë nëpër botë. Shumica e tyre ndjehen të bllokuar në një luftë me të cilën nuk kanë të bëjnë! Ata mendojnë se bota po i barazon të gjithë me Hamasin. Kjo është e rrezikshme. Konflikti duhet të ndërpritet menjëherë, gjakderdhja duhet të ndalet.”, - theksoi komisionari i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së, Filipe Lazarini.
 
Thirrje për armëpushim, Netanjahu: Nuk i ndërpresim sulmet ndaj Hamasit
 
Pas shumë thirrjeve të fundit që të ndalen bombardimet në Gaza, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka përjashtuar çdo armëpushim me Hamasin.
 
“Unë dua ta bëj të qartë pozicionin e Izraelit në lidhje për një armëpushim. Thirrjet për armëpushim janë thirrje që Izraeli t’i dorëzohet Hamasit. Për t’u dorëzuar terroristëve. Të dorëzohemi para barbarisë. Kjo nuk do të ndodhë. Bibla thotë se ka një kohë për paqe dhe një kohë për luftë. Kjo është një kohë lufte, një luftë për të ardhmen tonë të përbashkët.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Nën bombardimet e pamëshirshme të Gazës, shkollat e drejtuara nga OKB-ja si kjo në Kan Junis janë bërë një vendstrehimi dhe lehtësimi për mijëra familje, por mungojnë kushtet elementare për jetesë.
 
"Nuk ka ujë të pijshëm apo ushqim, e drejta më themelore e njeriut. Ne nuk mund të flemë për shkak të tingujve të fortë që lëshojnë avionët izraelitë.", - theksoi nxënësja në Gaza, Jenan Abu Toaima.
 
"Shtëpia e xhaxhait tim u bombardua dhe unë e pashë atë dhe u frikësova shumë dhe ne ikëm në shkollë. Jam shumë i lumtur sot, sepse ata luajtën lojërat tona në shkollë.", - tha një nxënës i shkollës në Gaza, Asel Abu Taima.
 
"Më pëlqen të luaj me fëmijët dhe këta të rinj. Dhe ndoshta mund ta harroj luftën dhe zhurmën e predhave për pak.", - u shpreh nxënësi i shkollës së Gazës, Jasin Abu Jamea. 
 
Që nga fundjava e kaluar, ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, enklavë e cila ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez Hamas më 7 tetor. Më shumë se 1,538 izraelitë janë vrarë në sulmet e Hamasit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU