Ekonomi

KRRE-ja publikoi çmimin e ri të ngrohjes qendrore

31.10.2023 14:39

Komisioni Rregullator për Energjetikë ka marrë vendime me të cilat është miratuar çmimi përfundimtar për energjinë...

Komisioni Rregullator për Energjetikë ka marrë vendime me të cilat është miratuar çmimi përfundimtar për energjinë termike të dorëzuar për konsumatorët. Çmimi i energjisë termike do të rritet për 4,51%, njoftoi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
 
“Me këto vendime çmimi për qytetarët mbetet në kuadër të qëndrueshëm dhe tri kompanitë për furnizim, shpërndarje dhe prodhim të energjisë termike, praktikisht janë të detyruara që sa më shpejt të vënë në punë tubacionin e ngrohjes “Belasica” në mënyrë që sistemi të funksionojë ekonomikisht. Me vendimet e sotme, KRRE-ja, e udhëhequr nga interesi i konsumatorëve, vendos kornizën financiare dhe dërgon sinjalin për funksionim maksimal ekonomik të kompanive filiale.”, - deklaroi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski.
 
Qytetarët: Çmimet janë të larta, apelojmë të ulen
 
Qytetarët e anketuar shprehen të pakënaqur nga ngrohjet qendrore, thonë që çmimet janë mjaftë të larta për standardin që e kemi, apelojnë kompetentët që të marrin masa për të ulur çmimet.
 
“Ka pasur kohë pas kohe vonesa, përndryshe ngrohja ka qenë e mirë, është lëshuar me kohë, ka pasur shkurtime ndonjëherë për shkak të kohës. Për momentin e kemi 4,050 den, varet se sa harxhojmë në periudha të ndryshme. Për standardin tonë kuptohet që është pak shtrenjtë, mirëpo ia dalim.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Jo, nuk funksionojnë, thonë deri ora 22:00, ndërsa i ndalin në ora 21:00. Për këtë standard është shtrenjtë. Një pensionist me 12 mijë denarë paguan 4 mijë denarë për një banesë dydhomëshe, po kështu është shteti.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Unë e kam ndërprerë ngrohjen qendrore, kemi pasur probleme dhe është shtrenjtë. E kemi izoluar banesën dhe ngrohemi me ngrohës më të vogël.”, - theksoi një qytetar.
 
Me energji termike janë të furnizuara gjithsej 64,000 familje.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI