Maqedoni

Hyseni: Presim bashkëpunim në integrime euroatlantike

31.10.2023 16:02

Bashkëpunimi parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës me theks të veçantë bashkëpunimi në fushën e eurointegrimeve...

Bashkëpunimi parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës me theks të veçantë bashkëpunimi në fushën e eurointegrimeve, ishte tema kryesore mes delegacionit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kosovës dhe  komisionit amë në Kuvendin tonë. Është konstatuar mbështetja që vendet duhet t’ia japin njëri – tjetrit në proceset eurointegruese, gjë të cilën e pret edhe Kosova, e cila synon anëtarësimin në organizatat  pan evropiane dhe ato euroatlantike.
 
“Besoj që është shumë e rëndësishme që në veçanti shtetet e Ballkanit Perëndimor, shtetet tona fqinje të kenë një bashkëpunim të mirëfilltë, sepse kur ne përkrahim njëra-tjetrën, rruga jonë drejt BE-së do të jetë më e shpejtë, më e sigurt dhe sigurisht do t'i bashkohemi kësaj familjeje evropiane si shtete të Ballkanit Perëndimor bashkë. Kemi shumë shembuj të mirë, të cilat na i jep RMV-ja e që mund të jenë model i mirë për integrimin tonë si shtet në të ardhmen.”, - deklaroi kryesuesja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Arbëreshë Kryeziu Hyseni. 
 
Ademi: Mbështesim Kosovën në aspiratat integruese
 
Maqedonia e Veriut pa hamendje mbështet shtetin kosovar në aspiratat për t’u bërë anëtare e organizatave evropiane dhe ndërkombëtare, siguron kryetari i Komisionit për Eurointegrime, Arbër Ademi.
 
“Takimet tona janë të vazhdueshme, të rregullta, që kanë të bëjnë me shkëmbim të përvojave mes dy vendeve në realizimin e aspiratave tona të përbashkëta, që është anëtarësimi në BE dhe progresi që duhet ta shënojmë gjatë rrugës për ta arritur këtë qëllim final. Ritheksuam edhe njëherë qëndrimin tonë se Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën edhe RMV-në, dhe se jemi të hapur për bashkëpunim në të ardhmen për aktivitetet tona në drejtim të realizimit të synimeve të përbashkëta.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Eurointegrime, Arbër Ademi.
 
Komisioni për Eurointegrime dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, në takim edhe me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me të cilët po ashtu në fokus ka qenë diskutimi për të ardhmen e të dy vendeve fqinje.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU