Maqedoni
Grevë urie greva në burgun e Idrizovës, situata paralajmëron radikalizim të grevës
31.10.2023 16:19
Pas bastisjeve të së shtunës në burgun e Idrizovës që rezultoi në konflikt mes policisë dhe disa të burgosurve...

Pas bastisjeve të së shtunës në burgun e Idrizovës që rezultoi në konflikt mes policisë dhe disa të burgosurve, prej 1,183 të burgosurve, 213 janë në grevë urie. Këtë për TVM2 e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i burgut, Femi Jonuzi.
Në burgun e Idrizovës mbretëron situatë relativisht e tensionuar që paralajmëron radikalizim të grevës. Kjo është konstatuar nga ana e zyrës së Avokatit të Popullit prej ku informojnë se në përpunim e sipër janë videoincizimet disaorëshe nga bastisja në burgun e Idrizovës, të cilat do të duhet të zbardhin rastin. Megjithatë, Avokati i Popullit, Naser Ziberi, ngrit dyshimin se një pjesë e këtyre incizimeve janë prerë dhe larguar dhe për këtë duhet të bartet përgjegjësi.
“Në këto video incizime shpresoj të fitojmë një pasqyrë më objektive se si është zhvilluar aksioni edhe pse informacionet e para nga përpunimi i video incizimit duket se janë të ndërprera pjesë-pjesë dhe kam frik që pjesët më kritike të jenë fshirë dhe në këtë mënyrë të na pamundësohet një përshkrim objektiv i situatës. Sigurisht se nuk duhet të bëhet, por shërbimi i burgut mund ta ketë bërë këtë, sepse kjo nuk është hera e parë dhe sigurisht që drejtoria e burgut mban përgjegjësi nëse vjen deri tek dëmtimi i video incizimeve.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
Fakti që gjatë këtij aksioni janë regjistruar një numër i madh i të lënduarve flet se nuk është bërë një analizë objektive për aspektet e sigurisë të aksionit. Ziberi akuzon se institucionet shëndetësore që kanë trajtuar të burgosurit kanë tentuar të minimizojnë lëndimet e të burgosurve.
“Mbi 20 prej tyre janë trajtuar në ditën kritike, disa të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pak më vonë, sepse lëndimet shfaqen edhe me reflekse të mëvonshme. Një pjesë e tyre janë dërguar në klinikat "Nënë Tereza" dhe "Shën Naumi i Ohrit". Fatkeqësisht nga raportet e para që kemi marrë në deklaratat e të burgosurve në të shumtën e raporteve mjekësore thuhet se bëhet fjalë për lëndime të lehta, ndërsa realiteti flet për diçka tjetër.”, - u shpreh Avokat i Popullit, Naser Ziberi.
Nga Komiteti i Helsinkut theksojnë se nuk kanë vizituar burgun e Idrizovës, por që me zgjuarësi do ta përcjellin situatën edhe nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.
“Nëse vërtetojmë se ka pasur veprim joadekuat apo përdorim i tepruar i forcës apo shkelje tjetër e të drejtave të njeriut në kuptimin e mbrojtjes shëndetësore, sigurisht se do të reagojmë.”, - deklaroi Tona Kareva Talevska nga Komiteti i Helsinkut.
Nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve theksojnë se nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme në Burgun e Idrizovës është vërejtur shqetësim tek një numër i personave të dënuar.
“Në objektin gjysmë të hapur, të burgosurit nuk e kanë pranuar ushqimin që nuk nënkupton se kanë grevë urie. Megjithatë e drejta e grevës së urisë është legjitime dhe e lejuar. Qëndrojmë në dispozicion të ndërmjetësojmë në përcjelljen e informacioneve që i kanë personat e dënuar në instance të caktuara.”, - theksoi Jovica Stojanoviq nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve.
Nga bastisja e së shtunës në burgun e Idrizovës janë gjetur 63 celularë, 82 thika, 4 thumba, 71 karrikues telefoni dhe drogë.
FLORIJE KAMBERI
