Derbi i shqiptarëve i takon Gjimshitit
31.10.2023 17:21
Berat Gjimshiti ka fituar të hënën derbin shqiptar të Serisë A ndaj Etrit Berishës dhe Ardian Ismajlit, teksa skuadra e tij...

Berat Gjimshiti ka fituar të hënën derbin shqiptar të Serisë A ndaj Etrit Berishës dhe Ardian Ismajlit, teksa skuadra e tij, Atalanta, fitoi me rezultatin e pastër 3-0 në fushën e Empolit. Takimi i vlefshëm për javën e 10-të të Serisë A ka qenë për t’u harruar sidomos për gardianin e portës së Kombëtares kuqezi, i cili është mposhtur 3 herë, dy herë në të parën dhe një herë në të dytën. Berisha është mposhtur brenda vetëm 5 minutash lojë, kur një veprim i zgjuar me thembër i Skamakës e ka kaluar topin midis këmbëve të shqiptarit.
Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë e dyfishtë të skuadrës së Gjimshitit, pasi Koopmainers do të gjejë sërish rrugën e rrjetës në minutën e 29-të, duke e mposhtur sërish Berishën. Fillimi i pjesës së dytë do të sjellë edhe golin e 3-të të Atalantës, që do të realizohet nga Skamaka, që plotëson kështu dygolëshin e tij në këtë takim.
Berisha dhe Gjimshiti luajtën nga fillimi deri në fund, ndërsa, nga minuta e 63-të, u aktivizuar për Empolin edhe Ardian Ismajli, që rikthehet pas një dëmtimi, ndërsa Stivën Shpendi ishte gjatë gjithë kohës në stol. Me këtë fitore, Atalanta e Gjimshitit ngjitet në vendin e 4-t, në kuotën e 19 pikëve, 6 më pak sesa Interi kryesues, 4 më pak sesa Juventusi i vendit të dytë dhe 3 më pak sesa Milani i vendit të 3-të. Ndërsa Empoli mbetet në zonën e ftohtë të rënies nga Seria A, në vendin e 18-të, me 7 pikë.
