Barghouti: Në gjendje kritike 2,3 milion njerëz në Gaza

01.11.2023 15:39

Në konfliktin e fundit në Gaza...

Në konfliktin e fundit në Gaza, numri i viktimave po rritet vazhdimisht. Kryetari i shoqatës palestineze të ndihmës mjekësore Mustafa Barghouti për TVM2 thotë se nga të dyja palët numri i viktimave ka tejkaluar mbi 10 mijë njerëz, ndërsa numri më i madh apo mbi 850 janë palestinezë, derisa edhe të paktën 1,600 persona llogariten të zhdukur. Ai thotë se më së shumti po e pësojnë civilët, përfshirë gra dhe fëmijë.

“Është një situatë kritike. Mbi 2,3 milion njerëz janë pa energji elektrike, pa ujë, pa bukë. Nëse i numërojmë ndihmat humanitare që kanë arritur deri tani në Gaza nuk janë as 100 kamionë gjithsej, ndërsa nevoja është për mbi 12 mijë kamionë ndihma me ushqim, ilaçe dhe mjete higjienike. Bombardimet po vazhdojnë dhe një spital është sulmuar dhe janë vrarë 400 civilë brenda spitalit. Janë sulmuar 57 shtëpi shëndeti duke përfshirë këtu dhe një objekt ku trajtoheshin fëmijët dhe persona me aftësi të kufizuara. Situata është e rëndë, shumë mjekë bëjnë operimet e tyre pa anestezion.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës Palestineze të Ndihmës Mjekësore, Mustafa Barghouti.

Perëndimi të ndikojë në ndërprerjen e luftës, të mos dëbohen njerëzit nga Gaza

Barghouti thotë se shumë njerëz të lënduar apo me problem shëndetësor presin arritjen e personalit mjekësor nga Egjipti, por Izraeli nuk lejon. Ai kërkon nga qeveritë perëndimore të ndikojnë në ndërprerjen e luftimeve, pasi siç thotë ai gjithçka në Gaza është shkatërruar.

Nuk ka korridor për evakuim. Procesi i vaksinimit të fëmijëve është ndërprerë gati 20 ditë dhe jemi në rrezik nga ndonjë pandemi si kolera dhe të tjera të mundshme. Nuk ka as ujë të pijshëm dhe jemi në një kohë të vështirë dhe jemi në shok se si akoma ShBA-ja dhe disa qeveri perëndimore suportojnë Izraelin për të vazhduar luftën, por ne kërkojmë pushim të luftës, sepse gjithçka është shkatërruar.”, - theksoi kryetari i Shoqatës Palestineze të Ndihmës Mjekësore, Mustafa Barghouti.

Ai njëherit thekson se më e rëndësishme është të mos dëbohen njerëzit nga Gaza, sepse sipas Mustafa Barghouti, nëse Izraeli ata i detyron t’i lëshojnë tokat e tyre, ata asnjëherë nuk do të mund të kthehen.

“70 për qind e njerëzve janë dëbuar nga tokat e tyre dhe tani janë emigrantë dhe tani Izraeli dëshiron sërish të bëj të njëjtën gjë dhe ta aneksojë Gazën. Nëse këta njerëz lëshojnë Gazën, Izraeli do ta zotëroj atë territor. Izraeli po i vendos palestinezët para dy zgjidhjeve, ose të vdesin ose të lëshojnë tokat e tyre.”, - u shpreh kryetari i Shoqatës Palestineze të Ndihmës Mjekësore, Mustafa Barghouti.

Kryetari i Shoqatës Palestineze të Ndihmës Mjekësore, Mustafa Barghomi, njëherit thekson se edhe shtetet arabe edhe shtetet perëndimore e dinë se Izraeli me forcë po dëbon palestinezët, prandaj ai kërkon që kjo të ndërpritet. (Gazmend Rexhepi, TVM2)