Von Kramon: Jo qetësim i Vuçiqit, na duhet një Serbi demokratike

01.11.2023 15:55

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Kramon...

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Kramon, ka mirëpritur qartësinë e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbi marrëdhëniet Kosovë Serbi, por sipas saj kjo qartësi do të duhej bërë për mangësitë e shtetit serb në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe demokracinë.

“Unë e mirëpres qartësinë nga Von Der Lejen mbi marrëdhëniet Serbi-Kosovë. Megjithatë, do të ishte mirë që e njëjta qartësi të ishte për mangësitë e Serbisë në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe demokracinë”.

Von Kramon, në platformën “X”, po ashtu ka theksuar se “na duhet Serbi demokratike, jo qetësim i mëtejshëm i Vuçiqit”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, derisa Serbia të njohë de facto Kosovën. Por, megjithëse kryeministri kosovarë ka pranuar propozimin evropian për Asociacionin, presidenti serb Vuçiq refuzon implementimin e pjesës së marrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me njohjen e Kosovës.

Ndërsa ndërmjetësi i BE-së, Lajçak, ka paralajmëruar ditëve në vijim një takim midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit. Por, nuk dihet si do të ndikojë në procesin negociatorë shpallja e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat presidenti Vuçiq i ka shpallur për 17 dhjetor të këtij viti. (Gyltene Sinani, TVM2)