Maqedoni

Zgjedhjet, Kovaçevski: Do të respektohen afatet ligjore

01.11.2023 16:16

Caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale do të caktohet duke mbajtur llogari për festat fetare në pranverë

Caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale do të caktohet duke mbajtur llogari për festat fetare në pranverë, por duke respektuar kornizat ligjore, ka deklaruar kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, data do të kumtohet pasi të jetë e dakorduar në Kuvend, ndërkaq do të respektohet edhe obligimi ligjor për formimin e qeverisë teknike.
 
“Opinioni do të informohet për afatin e saktë kur do të arrihet marrëveshje në kuadër të Parlamentit, pasi që Parlamenti do të duhet ta sjellë këtë vendim. Kryetari i Kuvendit i shpall zgjedhjet dhe do të duhet pasur parasysh se gjatë muajve pranverorë kemi edhe festa fetare që bashkëqytetarët tanë i shënojnë. Andaj duke pasur parasysh të gjitha këto parashikime, do të dakordohet datë dhe normalisht në kuadër të kornizave ligjore, ku në ligjin tonë qëndron obligimi për qeveri teknike. Kjo do të formohet 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, njëjtë sikurse ka qenë deri më tani.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Sa i takon daljes së LSDM-së në zgjedhje bashkë me BDI-në, sikurse në ato presidenciale me një kandidat të përbashkët, por edhe në parlamentaret me koalicionime, kryeministri u shpreh se kjo do të dihet pasi të vendosin organet e partisë dhe do t’i bëhet publike qytetarëve. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja këmbëngulin që zgjedhjet parlamentare të mbahen bashkë me raundin e dytë të presidencialeve.  Pro zgjedhjeve të përbashkëta është edhe opozita shqiptare. 


MERAL ISMAILI