Maqedoni
Këshilli i Sigurisë: Siguria në vend nuk është e kërcënuar
01.11.2023 18:02
Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka thirrur Këshillin e Sigurisë....

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka thirrur Këshillin e Sigurisë. Në këtë takim është diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe në rajonin euroatlantik, përkatësisht ndikimet që kanë konfliktet në Gaza dhe Ukrainë, por edhe sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës.
“Sot është mbajtur mbledhja e 19-të e Këshillit të Sigurimit, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajonin euroatlantik. Në seancë, përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, me ftesë të presidentit Pendarovski, morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Zharko Milloshevski dhe drejtori i Agjencisë për Inteligjencë Erold Musliu.”, thuhet në kumtesën e presidencës.
“Përfaqësuesit kompetentë të institucioneve informuan për çështjet aktuale të sigurisë që kanë të bëjnë me vendin dhe rajonin më gjerë, duke përfshirë agresionin rus kundër Ukrainës, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situatën në veri të Republikës së Kosovës. Për sa i përket situatës së sigurisë në vend, u vlerësua se është stabile dhe se nuk ka të dhëna për rrezikim të mundshëm të saj.
Si anëtare e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut është në koordinim të rregullt me Aleancën dhe aleatët lidhur me aktivitetet e ndërmarra për forcimin e sigurisë në zonën euroatlantike. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u konstatua nevoja që institucionet kompetente të vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të përgatisin skenarë të mundshëm sipas zhvillimit të ngjarjeve, me qëllim të ndërmarrjes në kohë të masave dhe aktiviteteve në kompetencë të tyre.”, theksojnë nga shërbimi për informim i presidnecës.
FITIM KRYEZIU
