Maqedoni
Bullizmi në shkolla, nxënësit flasin për raste konkrete
01.11.2023 18:19
Bullizmi në shkolla dhe rrjete sociale është një nga dukuritë më të përhapura te nxënësit në shkollat fillore...

Bullizmi në shkolla dhe rrjete sociale është një nga dukuritë më të përhapura te nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme në vend. Këtë e pohojnë vet nxënësit, por edhe shkollat dhe institucionet tjera.
Nxënësit e shkollës fillore “Petar Zdravkovski-Penko” dhe shkollës së mesme “Zef Lush Marku”, thonë se kanë hasur në raste të ndryshme të bullizmit.
“Po, kam hasur bullizëm. Kam hasur bullizëm kur dikush ndoshta është pak me peshë më të madhe dhe i kanë bullizuar. Mendoj se bullizmi është një akt shumë i keq ose dikush më i madh e ka bullizuar dikë më të vogël ose nga pamja fizike. Edhe mua më kanë bullizuar kur kam qenë më e vogël, kam qenë më e plotë në peshë. Ka qenë një eksperiencë e keqe, sepse edhe tani e kujtoj dhe e mbaj në mend, jam prekur shumë. Nuk është gjë e mirë, si mentalisht, ashtu edhe fizikisht.”, - u shpreh një nxënëse.
“Po, patjetër që kemi hasur, sidomos te gjenerata jonë. Kemi pasur bullizëm ndaj mbipeshës, kush ka qenë më i shkurtër e më i gjatë.”, - u shpreh një nxënës tjetër.
“Shumë kanë bullizuar, pse dikush më i shkurt pse dikush më i gjatë, për peshën, shumë. Edhe mua më kanë bullizuar një herë në klasën e dytë, isha më e gjatë në klasë dhe më bullizonin.”, - theksoi një nxënës.
Defektologia: Punohet me nxënësit dhe prindërit
Defektologia në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Ajshe Beqiri, thotë se bullizmi mund të haset në formë direkte apo indirekte te nxënësit e moshave të ndryshme, qoftë brenda apo jashtë shkollës.
“Nxënësit dinë se ku të referohen, kemi ankesa rreth bullizmit, ato janë në një numër shumë të vogël, por gjithsesi ekzistojnë për fat të keq dhe gjithsesi menjëherë fillohet procedura për të punuar. Punohet me nxënësit me palët, prindërit informohen rreth procedurës se çfarë detyre kanë ata se çfarë duhet të punojnë në shtëpi, këshillohen etj.”, - deklaroi defektologjia në “ZLM”, Ajshe Beqiri.
MPB: Këtë vit, 38 sjellje të dhunshme mes nxënësve
Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 75 incidente të sjelljes së dhunshme te nxënësit, nga të cilët numri më i madh është regjistruar në sektorët e Punëve të Brendshme, Shkup-26 dhe Tetovë-24.
“Ndaj shkelësve janë marrë masa: tre persona janë kallëzuar penalisht për veprat penale “dhunë”, ndërsa ndaj 68 personave janë paraqitur 39 kërkesa për ngritjen e procedurës për kundërvajtje të kryera nga Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe shumica e tyre janë për kundërvajtje të kryer, “sulm fizik”. Në periudhën nga 1 janari deri më 30 prill të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 38 incidente të sjelljes së dhunshme mes nxënësve. Numri më i madh është regjistruar në sektorin e Punëve të Brendshme, Shkup-16 dhe Tetovë-8.”
Nga MPB-ja theksojnë se ndaj dhunuesve janë marrë masa konkrete. Katër persona janë kallëzuar penalisht për veprën “dhunë”, ndërsa ndaj 5 personave janë bërë kërkesa për fillimin e procedimit për veprat e kryera, “sulm fizik” dhe “pjesëmarrje në përleshje”, në përputhje me dispozitat e Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, bëjnë të ditur nga MPB-ja.
FITORE DEMOLLI
