Gardiani Samir Ujkani përshëndetet me futbollin
02.11.2023 13:05
Porteri i Kosovës, Samir Ujkani është tërhequr nga futbolli aktiv në moshën 35-vjeçare....

Porteri i Kosovës, Samir Ujkani është tërhequr nga futbolli aktiv në moshën 35-vjeçare. Vendimin e tij për t’i dhënë fund karrierës si profesionist, të cilën e nisi në vitin 2007, Ujkani e bëri të ditur të mërkurën në mbrëmje. Gjatë karrierës së tij, Ujkani ka luajtur për skuadrat si Palermo, Novara, Kievo, Xhenoa, Latina, Piza, Kremonese, Rizespori, Torino dhe Empoli, pjesë e të cilit ai ishte edicionin e fundit. Me fanellën e përfaqësueses së Kosovës, Ujkani ka luajtur 35 ndeshjes, teksa iu bashkua “Dardanëve” menjëherë pas anëtarësimit të FIFA dhe UEFA. Ndërkohë, më herët, Ujkani ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, për të cilën ka luajtur në 20 ndeshje.
“Ashtu sikur për gjithçka tjetër në jetë, ka ardhur koha që të them lamtumirë”, - ka shkruar Ujkani në një postim në profilin e tij në Instagram.
“Ky rrugëtim më ka dhënë mundësinë të njoh shumë njerëz, pothuajse në çdo qytet ku kam jetuar dhe kujtime të pashlyeshme për çdo fanellë që e kam mbajtur me krenari dhe që do të jenë pjesë e rëndësishme e jetës sime.”, ka theksuar 35-vjeçari në postimin e tij të bërë në 3 gjuhë, shqip, anglisht e italisht.
Ai gjithashtu, ka falënderuar të gjitha skuadrat që ka luajtur gjatë karrierës, duke mos lënë anash as Kosovën e Shqipërinë, duke theksuar: “Faleminderit për të gjithë tifozët, që janë bukuria, kuptimi dhe japin shpirt këtij sporti të mrekullueshëm”.
Në mbyllje, ai ka shkruar se çdo fund e ka një fillim të ri, duke shtuar se së shpejti do ta bëjë të ditur.
