Kuvendi i Shqipërisë, opozita përmbys karriget dhe tymos Parlamentin
Deputetët e nxitur nga Sali Berisha....

Deputetët e nxitur nga Sali Berisha, në hetim për korrupsion në lidhje me aferën e Klubit “Partizani”, vunë në zbatim skenarin e kaosit një orë para se të niste seanca plenare. Karriget e socialistëve u grumbulluan te foltorja, ndërsa në sallë nuk ishin të përjashtuar as deputetët e Bashës.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës kërkonin karriget, kohë kur nisën edhe incidentet e para.
Deputetja e Berishës, Ina Zhupa dhe ajo e PS-së, Antoneta Dhima, patën konflikt mes tyre.
“Ik, o Antoneta, po ik, o Antoneta tani. Ik, o Antoneta tani, ik.”, - tha Ina Zhupa.
“A ka mundësi që ta marr unë?”, - u shpreh Antoneta Dhima.
“Po ik, o Antoneta, ik!”, - tha Ina Zhupa.
“Ne nuk kemi asnjë gjë me ju. Jemi në protestë, mos provokoni protestën. Ne po luftojmë për një të drejtë tonë kushtetuese.”, - u shpreh Sali Berisha.
Gjatë seancës nuk munguan as përplasjet fizike mes deputetësh të
“Karriget nuk janë tuajat, janë të popullit, nuk e keni pronë këtë. E din unë çfarë përfaqëson ti.”, - theksoi Salianji.
“Po pse ti përfaqëson popullin?”, - tha Qefalia.
“Po, po, atë përfaqësoj. Ti përfaqëson bandat.”, - u shpreh Salianji.
“Je me “non gratat” ti, je bërë kamikaz i paligjshmërisë.”, - i thotë Gogu, Salianjit.
“Ti je vegël që përdoresh, mua s’më përdorë dot njeri. Unë përfaqësoj popullin.”, - theksoi Salianji.
“Pse bëhesh avokat i kriminelit Taulant Balla?”, - u shpreh Berisha.
“Bëhem avokat i atyre që më kanë zgjedhur.”, - i thotë Gogu-Berishës.
Fatmir Xhafaj, një ndër më të hershmit e Kuvendit i është drejtuar opozitës, duke u kërkuar të lirojnë karriget dhe të mos pengojnë punimet.
“Lejoni komisionet hetimore!”, - tha deputeti i PD-së.
“Po çfarë komisionesh hetimore?!”, - theksoi Fatmir Xhafaj.
“Fatmir, edhe ti si shokët.”, - u shpreh deputeti i PD-së.
“S’mund të merrni karriget, çfarë bëni kështu!?”, - u shpreh Fatmir Xhafaj.
“Riktheni të drejtat kushtetuese! Je dhe jurist! Rikthe të drejtat kushtetuese të opozitës!”, - theksoi Sali Berisha.
Në kaosin e krijuar në Parlament, deputetët socialistë miratuan të gjithë projektligjet e rendit të ditës në seancë plenare.
Gjatë votimit, Salianji hodhi tre tymuese blu dhe rozë njëra pas tjetrës, ndërsa qëndronte në foltore. Punonjësi i sigurisë i hoqi tymuesen nga dora, por deputeti i hodhi një karrige, që nuk e kapi gardistin.
Një nga tymueset ra tek këmbët e Berishës, i cili u ndje keq dhe u largua në fund të sallës.
Pas votimit të projektligjeve, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e mbylli seancën plenare, e cila zgjati vetëm 25 minuta. Kreu i policisë së Tiranës, Tonin Voci, u pa në ambientet jashtë dhe më pas ka hyrë brenda në vendin e betejës me karrige. (Luljeta Ndoka, TVM2)
