Maqedoni

Mickoski për rastin e Onkologjisë: Kemi dëshmi të reja, manipulimet vazhdojnë

02.11.2023 15:20

VMRO-DPMNE-ja pretendon se ka dëshmi të reja për rastin e Onkologjisë...

VMRO-DPMNE-ja pretendon se ka dëshmi të reja për rastin e Onkologjisë. Lideri i kësaj partie akuzon se personat përgjegjës të Klinikës së Onkologjisë nuk kanë ndërmarrë asnjë masë ndaj furnizuesve të barnave që janë vonuar me dorëzimin dhe kështu i kanë lënë pa trajtim pacientët me kancer, por edhe kanë manipuluar me prokurimet publike. Mickoski thotë se nga raporti i një kontrolli të jashtëzakonshëm financiar, që Fondi Shëndetësor e ka bërë në Klinikën e Onkologjisë për periudhën nga gushti i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2023, ka ardhur në përfundim se manipulimet ende vazhdojnë.
 
“Nuk është marrë asnjë përgjigje objektive apo subjektive nga distributorët se pse mallrat nuk janë dorëzuar në kohë sipas kontratës. Kontrata është shkelur me vetëdije, barnat nuk dorëzohen, pacientët mbeten pa terapinë e nevojshme dhe askush nuk ka asnjë pasojë për këtë! Dhe do t'ju kujtoj, ne folëm për dhënien e kundërt, të parakohshme të barnave, për ata që kanë nevojë për ato ilaçe.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. 
 
Nga dokumentet që Mickoski thotë se i ka siguruar nga një informator, vërehet se në repartet e spitaleve nuk shënohet se kujt i jepen ilaçet nga një pako e hapur. 
 
“Nuk ka asnjë gjurmë të shkruar, asnjë libër të brendshëm, nëse teprica është hedhur ose kujt i jepet për të përdorur ilaçin nga shishja. Për shembull, nëse pakoja e medikamentit që do të aplikohet është 100 njësi dhe doza për pacientin është 50 njësi, asgjë nuk dihet për 50 njësitë e mbetura, nuk ka asnjë gjurmë se ku përfundojnë dhe nëse përfundojnë diku. Dhe kështu është bërë prej vitesh, sepse nuk ka kontroll.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
 
Të gjitha dokumentet, siç paralajmëroi, do të dërgohen në Prokurorinë Publike, ndërsa nga Komisioni Hetimor në Kuvend kërkojnë që ta zgjerojë shtrirjen edhe me këtë periudhë të raportit.
 
SANIJE DURAKU