Botë
Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Gaza, 9,061 palestinezë të vrarë dhe 1,538 izraelitë
02.11.2023 16:44
Vazhdojnë bombardimet Izraelite mbi Rripin e Gazës së izoluar...

Vazhdojnë bombardimet Izraelite mbi Rripin e Gazës së izoluar. Numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 9,061. Në mesin e viktimave janë 3,760 fëmijë dhe 2,326 gra, ndërsa 32 mijë njerëz të tjerë janë plagosur, ndërsa nën rrënoja janë ende të bllokuar 2,060 njerëz, njoftojnë autoritetet në Gaza. Pavarësisht numrit të lartë të civilëve të vrarë, nga Ministria e Mbrojtjes Izraelite thonë se shënjestër e tyre janë pjesëtarët e Hamasit.
"Trupat tanë vazhdojnë të përparojnë në zonën e qytetit të Gazës dhe të zhvillojnë luftime ballë për ballë me terroristët e Hamasit dhe thellojnë luftimet. Trupat kanë luftuar kundër shumë terroristëve gjatë natës , të cilët u përpoqën t'i zënë pritë. Ne vazhdojmë të intensifikojmë operacionin tonë dhe të avancojmë sipas planit dhe synimeve tona. Beteja po avancon sipas planit. Në çdo luftë ne kemi përparësinë.", - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Izrael, Daniel Hagari.
Situata humanitare për civilët në Gaza çdo ditë vjen duke u përkeqësuar. Nuk ka ujë, ushqim dhe gjësende bazike për jetesë. Si rrjedhojë e kësaj janë përhapur shumë sëmundje në popullatë.
“Ne pothuajse nuk kemi fare ujë. Uji që marrim është i kripur dhe na sëmurë. Nuk mund ta përballojmë këtë. Vuajmë nga shumë sëmundje: diarre, ethe, për shkak të një baktereje. Të gjithë jemi të sëmurë, jo vetëm fëmijët. Nuk mund të mbajmë higjienë pa ujë. Nuk kemi as çfarë të hamë. Dje djali im shkoi të blejë bukë. Pas një ore ai u kthye me një copë bukë që nuk na mjaftonte njëmbëdhjetë anëtarëve. Nuk ndihem mirë, por e detyroj veten të ngrihem. Jam lodhur nga jeta. Uroj vdekjen.”, - theksoi banorja e Gazës, Samah.
Presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, pavarësisht se mbështet Izraelin, ai thotë se do të ofrojë mbështetje humanitare për civilët.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të nxisin mbështetjen humanitare për njerëzit e pafajshëm në Gaza, që kanë nevojë për ndihmë. Ne do të vazhdojmë të pohojmë se Izraeli ka të drejtën e përgjegjësisë për të mbrojtur qytetarët e tij nga terrori dhe duhet ta bëjë këtë në një mënyrë që të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare që i jep përparësi mbrojtjes së qytetarëve.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
Ndihmat që vijnë në Gaza, janë sa një pikë uji në oqean, pasi nuk i përmbushin nevojat elementare, thonë përfaqësuesit e OBSh-së.
“Furnizimet e OBSh-së që erdhën përmes Rafahut janë marrë menjëherë, janë shpërndarë në 7 spitale në të gjithë Gazën. Fatkeqësisht, këto furnizime të nevojshme janë thjesht një pikë në oqeanin e nevojave. OBSh-ja bën thirrje për një akses urgjent dhe të përshpejtuar për ndihmën humanitare duke përfshirë ushqimin, ujin dhe furnizimet mjekësore në të gjithë Rripin e Gazës.", - deklaroi përfaqësuesi i OBSh-së në Palestinë, dr. Riçard Peperkorn.
Këtë javë ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, enklavë e cila ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Rreth 10,600 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9,061 palestinezë dhe më shumë se 1,538 izraelitë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
