Maqedoni
Siguria e gazetarëve, ShGM: Zero tolerancë për sulmet ndaj gazetarëve
02.11.2023 17:30
Zero tolerancë për sulmet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik, është porosia e Shoqatave të Gazetarëve....

Zero tolerancë për sulmet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik, është porosia e Shoqatave të Gazetarëve. Edhe këtë vit janë regjistruar sulme fizike dhe kërcënime onlajn ndaj gazetarëve. Pasi sulmi ndaj gazetarëve ligjërisht është sulm ndaj personave zyrtarë në Prokurorinë Publike janë ngritur procedura për 6 raste. Me vite ka ekzistuar dhe akoma deri në një nivel ekziston kulturë e mosdënueshmërisë së atyre që i sulmojnë gazetarët dhe kjo patjetër se duhet të ndryshojë, u tha me këtë rast.
“Gazetarët ballafaqohen me shumë sfida, përfshirë edhe sulme fizike, shqetësim, kërcënime dhe veprime juridike dhe e gjithë kjo në disa raste sjellë në cenzurë dhe rënie të gazetarisë hulumtuese. Lista e rasteve të pazgjidhura është e madhe, por kërkesat dhe pritjet tona janë akoma më të mëdha. Edhe pse ka përmirësim të gjendjes, çështja e mosdënueshmërisë akoma është e hapur dhe përgjegjësitë për krimin jo çdoherë janë thirrur në përgjegjësi.”, - deklaroi kryetari i ShGM-së, Mladen Çadikovski.
“Ne synojmë një gjë, zero sulme në një vit kalendarik. Patjetër se duhet të tregojmë se ne jemi të mbrojtur dhe se puna jonë mbrohet në nivel më të lartë, pasi që bëhet fjalë për interesin publik. Të fillojmë të sanksionojmë dhe të tregojmë se të folurit e papërshtatshëm është njëjtë e dëmshme sikurse sulmi fizik.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Puntorëve Mediatik, Pavle Belovski.
Shqetësuese mbeten kërcënimet onlajn, sidomos ndaj gazetarëve femra.
“Është e qartë se kemi edhe sulme verbale, por për fat të keq këtë vit kemi edhe disa raste dhunë fizike ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik. Ajo çfarë mua më brengos është sulmi onlajn ndaj gazetareve femra dhe ky është një trend global që gjithsesi vjen edhe tek ne. Këtë lloj të sulmeve e kemi pasur edhe më herët në praktikë dhe këtë vit kemi kërcënim me jetë për një gazetare femër dhe kjo është diçka brengosëse tani dhe në të ardhmen. Kjo posaçërisht se gjatë hetimeve, sulmet onlajn kanë sfida të shumta të zbulimit të kryerësit të veprës dhe më tej vazhdimin e hetimit.”, - u shpreh prokurorja publike, Iskra Haxhivasileva.
Për procedim më të shpejtë në rast të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punëtorëve mediatik janë caktuar prokurorë të posaçëm.
FLORIJE KAMBERI
