Maqedoni
Vendimi i Qeverisë për hidrocentralin “Çebren”, ekspertët me vlerësime të ndryshme
02.11.2023 18:18
Pasi që Qeveria vendosi se kush do ta ndërtojë hidrocentralin “Çebren”, nga ana e Shoqatës së inxhinierëve...

Pasi që Qeveria vendosi se kush do ta ndërtojë hidrocentralin “Çebren”, nga ana e Shoqatës së inxhinierëve të energjetikës u organizua debat publik për përfitimet nga ky projekt. Mendimet e ekspertëve, të ndara. Për disa, pasuritë natyrore po shiten e për disa me rrymën e cila do të prodhohet në “Çebren”, vendin do ta bëj të pavarur nga importi i energjisë elektrike.
“Kemi kapacitete, kemi dituri dhe mjete që vetëm ta ndërtojmë. Të na tregojnë një arsye se përse mos ta ndërtojmë ne në Maqedoni, ku paratë nuk janë problem, aspektet teknike nuk do t’i diskutoja, ndërsa përparësitë nëse Maqedonia e ndërton janë të shumëfishta. Ai do të jetë një projekt, ku do të mund ta bashkojë shoqërinë tonë, të ngritet industria ndërtimore, rrugët dhe digat.”, - deklaroi profesori universitar, Konstandin Dimitrov.
Drejtori për zhvillim të investimeve në EMV dhe ish-këshilltari në Qeveri për energjetikë, Andonov, thotë se nëpërmjet këtij vendimi është mundësuar realizimi i njërit prej projekteve më të mëdha dhe më të rëndësishme energjetike në Maqedoni të Veriut, ku vlera e investimit do të arrijë në rreth 1 miliard euro, ndërsa nuk pajtohet me atë se kompanitë vendore nuk do të kenë përfitim nga ky projekt.
“Pikërisht për shkak të rëndësisë së projektit, koncepti ishte që EMV-ja të jetë pjesë e projektit. Sipas ofertës, EMV-ja do të ketë 33 për qind të aksioneve në kompaninë, që do të thotë se edhe EMV-ja do të jetë aktive në këtë projekt. Në realizimin e këtij projekti do të përfshihen ndërtimi i rrugës, rrjeti i kyçjes, shpronësimi dhe inxhinierët.”, - theksoi drejtori për zhvillim të investimeve në EMV, Viktor Andonov.
Pas 13 tenderëve të dështuar, pas më shumë se 30 vitesh, Qeveria mori vendim për t'i dhënë me koncesion ndërtimin e hidrocentralit kompanisë greke “Arhirodon”. Pas përfundimit të projektimit dhe grumbullimit të dokumentacionit, planifikohet të fillojë ndërtimi, afati i së cilës është për 7 vjet.
GAZMEND KURTISHI
