Ushtria e Izraelit, ofensiva tokësore po vazhdon
Ushtria e Izraelit tha se i ka “eliminuar”....

Ushtria e Izraelit tha se i ka eliminuar 130 militantë në Rripin e Gazës të enjten dhe se e ka rrethuar qytetin e Gazës teksa ofensiva tokësore po vazhdon.
Qyteti i Gazës është qyteti më i madh në rripin bregdetar tashmë të rrethuar plotësisht nga Izraeli.
Ushtria izraelite tha se po bën “beteja të ashpra” kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, dhe se i ka shkatërruar shumë armë dhe infrastrukturën ushtarake të Hamasit.
Avionët luftarakë e ndihmuan ofensivën tokësore dhe i sulmuan disa komando ushtarake dhe qendra të kontrollit të anëtarëve të rangut të lartë të Hamasit. Infrastruktura ushtarake e Hamasit në zonat civile ishte cak i sulmeve po ashtu, tha ushtria.
Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha më herët gjatë ditës së enjte se katër prej shkollave të saj në Gazë, të cilat po përdoren si strehimore, janë dëmtuar në 24 orët e fundit.
Sipas OKB-së, katër shkollat e dëmtuara janë strehë e gati 20,000 njerëzve. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se gati 50 prej ndërtesave të saj janë prekur nga lufta prej 7 tetorit, kur Hamasi kreu sulme befasuese në Izrael, duke i vrarë mbi 1,400 njerëz dhe duke i rrëmbyer më shumë se 240 të tjerë.
Nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
