Stuhia “Kiaran” thellon bilancin e viktimave në Evropë
Të paktën shtatë njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën...

Të paktën shtatë njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën pasi stuhia goditi Francën duke sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra deri në 200 km/h.
Shkollat, disa rrugë, linjat ajrore dhe shërbimet e trenave janë mbyllur deri në përmirësimin e situatës.
Rreth 1,2 milionë shtëpi vijojnë të mbeten pa energji në Francë. 20,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku stuhia “Kiaran” ka shkaktuar dëme të konsiderueshme kryesisht në Anglinë jugperëndimore.
Për shkak të erërave të forta, disa ndërtesa u dëmtuan, ndërsa pemët u rrëzuan duke dëmtuar makina dhe biznese.
Disa njerëz u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në hotele në jug të Anglisë. Porti i Doverit u mbyll për një kohë të shkurtër dhe tragetet përtej Kanalit të La Manshit pezulluan shërbimet për shkak të erës së fortë.
Stuhia goditi Spanjën veriperëndimore duke shkaktuar erëra deri në 119 km/h. Erërat e forta shkulën pemët nga toka, duke mbyllur disa autostrada dhe duke rrëzuar linjat e energjisë elektrike. Fluturimet u anuluan dhe linjat e trenave u mbyllën.
Alarmet e kuqe dhe portokalli do të mbeten për pjesën më të madhe të bregdetit verior të Spanjës gjatë gjithë fundjavës.
