Vjetërsohet rasti "Traektorja", lirohen Gruevski, Peshevski, Janakievski

03.11.2023 14:42

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal....

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal mundësuan edhe vjetërsimin e lëndës "Traektorja", që ka të bëjë më autostradat kineze, ku të akuzuar ishin ish-kryeministri, Nikolla Gruevski; ish-zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski; ish-ministri, Mile Janakievski dhe drejtori i Agjencisë së rrugëve shtetërore, Lupço Georgievski.

Prokurorja e rastit, Lile Stefanova, në seancën gjyqësore kërkoi tërheqjen e aktakuzës kundër ish-kryeministrit Gruevski, për shkak të vjetërsimit absolut dhe pezullimin e procedurës për tre të akuzuarit e tjerë për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.

"Duke marrë parasysh propozimin e Prokurorisë Publike dhe ndryshimet në Kodin Penal, Gjykata ka marrë vendim me të cilin është ndërprerë procedura penale ndaj të akuzuarve: Vladimir Peshevski, Mile Janakieski dhe Ljupço Georgievski, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe propozim i prokurorisë kundër Nikolla Gruevskit për vepër penale shpërblim për ndikim të kundërligjshëm.”, - tha gjykatësi Ilija Tërpkov.

Shpenzimet për procedurën penale edhe për ketë rast bien mbi buxhetin e shtetit. Ndryshimet e fundit të Kodit Penal paralajmëruan vjetërsim të shumë lëndëve gjyqësore, sidomos atyre të ngritura ndaj ish-funksionarëve nga PSP-ja.

Së fundmi u vjetërsua vepra penale në rastin “Target-Fortesa”, ku i akuzuar ishte ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijalkov. Të njëjtin fat kishte edhe rasti “Producenti”.

Një përfundim i tillë u paralajmëroi edhe në rastin “Talir”, ku prokurorja kërkoi konstatimin e vjetërsimit të veprës, ku i akuzuar është Mile Janakieski. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)