Vazhdojnë sulmet izraelite mbi Gaza, Netanjahu: Objektivi ynë është rrëzimi i Hamasit

03.11.2023 15:03

Sulmet izraelite mbi Gaza kanë vazhduar....

Sulmet izraelite mbi Gaza kanë vazhduar. Në qytetin Kan Junis në jug të Rripit të Gazës, njoftohet për dhjetëra civilë të vdekur, në mesin e tyre edhe gazetari Muhamed Abu Hatab dhe 11 anëtarë të familjes së tij.

"Ne ishim në rrugë. Shkolla u shënjestrua me një sulm ajror në rrugën “Nasër”. Izraeli kreu një sulm ajror pa paralajmërim, derisa po kalonim nga këtu, po shkonim në një vend tjetër. Megjithatë, siç e shikoni, pak më parë ka pasur një sulm ajror. Ky vend që unë theksoj është një shkolle dhe ky objekti tjetër prapa meje është kamp refugjatësh.”, - deklaroi reporteri Arabi Sami Barhoum.

Nga OBSh-ja thonë se ata që e pësojnë në luftën në Gaza janë civilët.      

"Janë gratë dhe fëmijët, janë civilët e pafajshëm ata që po humbasin këtu. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ta marrim këtë akses humanitar. Ne duhet ta marrim atë tani, në mënyrë ideale. Ndërprerja e armiqësive është e pamundur, por të paktën një pauzë humanitare për të sjellë furnizimet, për të strehuar civilët, për të evakuuar të plagosurit.”, - theksoi zëdhënësi i OBSh-së, Kristian Lindmajer.

Izraeli thotë se objektivi kryesor është përmbysja e regjimit të Hamasit. Gjatë vizitës në Izrael, sekretari amerikan Antoni Blinken, tha se Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten, por duhet të mbrohen edhe civilët.

"Ne jemi në mes të luftës. Jemi duke mbrojtur veten në formë agresive në veri, me shkëmbime zjarri dhe fushatë sulmuese në jug. Jemi në periferi të qytetit të Gazës, duke u avancuar me vendosmëri dhe me suksese mbresëlënëse. Fatkeqësisht edhe ne kemi humbje, por jemi shumë të vendosur për të fituar luftën. Objektivi jonë është përmbysja e regjimit të Hamasit.”, - u shpreh kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu. 

Blinken: Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje, të mbrohen edhe civilët në Gaza

“Këto janë ditë të vështira, por Izraeli ka jo vetëm të drejtën, por dhe përgjegjësinë për të mbrojtur veten dhe për të siguruar që sulme të tilla mos përsëriten. Por, duhet të ndërmerren hapa konkretë për të mbrojtur më mirë civilët, si dhe  parandalimin e përhapjes së konfliktit Izrael-Palestinë në vendet e tjera.”, - theksoi sekretari i shtetit të ShBA-së, Antony Blinken.                                                   

Rreth 11,600 njerëz janë vrarë në këtë konflikt, duke përfshirë të paktën 9,800 palestinezë dhe më shumë se 1,500 izraelitë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)